Pas paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për masa ndaj Kosovës nëse nuk deeskalohet situata në veri të vendit, ka folur për “Gazeta Blic” nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Haziri ka thënë se kryeministri Kurti duhet të ndërmarrë tashmë urgjentisht këto tri veprime për të parandaluar sanksionet.
Ai ka thënë se duhet të bëhet deeskalimi i situatës, të caktohen zgjedhjet në katër komunat veriore dhe të bëhet draftimi i statutit të Asociacionit.
“I vetmi veprim që kryeministri Kurti duhet të bëjë është deeskalimi i situatës në veri, caktimi i zgjedhjeve sipas kërkesës dhe draftimi i statutit të Asociacionit.Ky është plani evropian tani e disa muaj që i kërkohet Kosovës” tha Haziri për “Gazeta Blic”.

Lutfi Haziri, Nënkryetar i LDK-së
Bashkimi Evropian ka disa ditë që ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të situatës së tensionuar në veri të vendit.
Masat parashikohen të jenë politike e financiare.
Disa nga masat që pritet të sanksionohet Kosova janë: Pezullimi I punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.
Tensionet në veri te Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
/Gazeta Blic/
Borrell: Nëse nuk ka shtensionim të situatës do të ketë pasoja
BE-ja e gatshme për masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë


