Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Samadrexhë në Suharekë, ku një grua ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta. Lidhur me këtë është arrestuar një person i cili dyshohet të jetë përfshirë indirekt në vdekjen e dyshimtë.
Burimet e Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Milazim Bugari, 51-vjeçar.
Bugari po voziste veturën e tij në gjendje të dehur dhe më pas i njëjti u përfshi në një aksident me veturën brenda së cilës ndodhej viktima S.K., 67-vjeçare.
I dyshuari dhe shoferi i veturës tjetër, pas aksidentit janë fjalosur mes vete, teksa sipas Policisë ai pati kontakt edhe me viktimën, për të cilën thonë se e shtyu.
Por sipas informacioneve që posedon Sinjali, e të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga organet e rendit, i dyshuari dhe viktima nuk kanë pasur asnjë kontakt fizik mes vete, por vdekja e të ndjerës dyshohet se erdhi si pasojë e shqetësimit të madh që përjetoi nga e gjithë kjo situatë.
Togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, tha se i dyshuari nuk është intervistuar, pasi që ka qenë në gjendje të dehur në momentin e arrestimit, mirëpo ai është dërguar në mbajtje.
“Policia e ka trajtuar rastin e aksidentit, njera nga pjesmarreset ne aksident nga emergjenca eshte transportiar per ne QKMF ne Suharekë, rreth ores 21:54 ne QKMF mjeku kujdestar e ka vertetuar vdekjen e viktimes, femer 67-vjeçare. Nga mbledhja e deshmive nga vendi I ngjarjes dyshohet se viktima nuk ka nderruar jetë si pasoj e lendimeve nga aksidenti, por shkaqet e vdekjes deri me tani nuk dihen.
Dyshohet se I dyshuari pas aksidentit ka dal nga automjeti dhe Jane fjalosur me palen tjetër, dhe ne nje moment e ka shtyre viktimen e cila është rrezuar. Viktima ka qene pasagjere ne automjetin tjeter të perfshirë ne aksident. Pra deri me tani nuk dihen shkaqet e vdekjes, por prokurori kujdestar ka urdhëruar që të hapet rast ” Vrasje nga pakujdesia”. I dyshuari nuk është intervistuar sepse ka qenë nën ndikim te alkoolit”. Me urdher te prokurorit kujdestar I njejti është ndaluar per 48 orë“, tha Bytyqi.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


