Lajme

Kurti takim me Laburistët në Londër, i njofton me situatën

06/27/2023 18:15
nga:Genita C

Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar takimet edhe sot në kuadër të vizitës së tij të punës, në Mbretëri të Bashkuar.

Ai u prit nga Sekretari në hije i Punëve të Jashtme, njëherësh deputeti i Partisë Laburiste, David Lammy dhe Ministri në hije për Evropë, Stephen Doughty.

Sic njofton Zyra për Media e Kryeministrit, me mikëpritësit, ai diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, fushat me potencial për thellim të mëtutjeshëm të tyre dhe për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti i njoftoi ata me arritjet dhe progresin e Kosovës në dy vitet e fundit, përkundër krizave botërore me të cilat u përballë i gjithë kontinenti i Evropës.

Më tej theksohet se Kurti ka njoftuar politikanët britanikë edhe me gjendjen në katër komunat në veri të Kosovës, pas tensioneve dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj institucioneve, policëve, ushtarëve të KFOR-it dhe ekipeve të medieve nga grupe kriminale të motivuara dhe orkestruara nga Beogradi zyrtar.

Për sa i përket nevojës për shtensionim të situatës dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, Kurti citohet të ketë thënë se Qeveria ka paraqitur propozimin e saj.

Kjo ka të bëjë në parimin e sundimit të ligjit, i cili adreson dhe trajton sulmet e deritanishme dhe hap rrugë për të ecur përpara.

Më tej në komunikatë shkruans e Kryeministri Kurti, në vazhdimësi ka insistuar në rëndësinë e pazëvendësueshme të zbatimit të plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.