Lajme

Kërkesat e Blinken, analisti: Marrëdhëniet me SHBA-të të qëndrueshme – zgjedhjet në veri pas plotësimit të parakushteve

06/27/2023 14:50
nga:G B

Analisti politik, Gazmir Raci, ka komentuar kërkesat e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, për Kosovën e Serbinë, për shtensionim të situatës në veri.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se nuk ka kusht më legjitim se ky i  Kosovës që të kemi zgjedhje të reja, por që së pari të ketë sundim të rendit dhe ligjit.

Ai përmend sulmin e mbrëmshëm ndaj objektit të Komunës së Mitrovicës Veriore, teksa thotë se serbët e duan veriun pasi është i rëndësishëm për grupe kriminale.

“Nuk ka kusht më legjitim se ky i Kosovës që për të shkuar në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike duhet së pari sundimi i rendit dhe ligjit. Ju e patë edhe mbrëmë, u sulmua objekti i zbrazur, natën, i Komunës së Mitrovicës Veriore, nga grupe kriminale. Beteja në veri është me këto grupe kriminale në veri, që nuk iu pëlqen rendi e ligji, ka mbi 20 vjet që veriun e kanë pasur zonë të kontrolluar nga ta. Dje një analist serb tha që mbi 11 laboratorë të narkotikëve janë sekuestruar në pjesën veriore dhe njëri nga ta ka pasur vlerë 40 milionë euro. E sheh sa i rëndësishëm është veriu për grupe kriminale, për Radojiçiqin dhe Veselinoviqin, që janë në listë të zezë të SHBA-ve”, shprehet Raci.

Ai thotë se Kosova u kthye në dialog dhe se Kurti ishte i gatshëm të takohej me Vuçiqin, por që ky i fundit nuk deshi.

“Kosova u kthye në dialog, shkoi në Bruksel dhe ishte e gatshme të takohet me presidentin Vuçiq, pavarësisht se Serbia i arrestoi tre policët e Kosovës, prapë kryeministri ishte i gatshëm ta takonte atë, por ai refuzoi. Serbia dhe ai nuk janë të interesuar për Asociacionin e komunave, ata janë të interesuar për veriun, e duan territorin, por kjo nuk ka mundësi të ndodhë, sepse në vitin 2021 populli i Kosovës në mënyrë plebishitare e ka votuar këtë qeveri për ta ruajtur këtë sovranitet dhe integritet që ka Kosova që nga shpallja e pavarësisë”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.

Sa i përket bisedës së Kurtit me Blinken, Raci thotë se tregon se marrëdhëniet vazhdojnë të jenë të qëndrueshme, por që ka tema të diskutimit ku aleatët nuk pajtohen.

“Biseda e kryeministrit me sekretarin amerikan tregon se marrëdhëniet vazhdojnë të jenë të qëndrueshme por ka tema të diskutimit ku nuk pajtohen aleatët. Kjo ndodh edhe në mes të SHBA-ve, edhe shteteve tjera aleate që ka ajo, kjo ka ndodhur edhe gjatë intervenimeve edhe në Irak, edhe në Afganistan, ku edhe brenda komunitetit ndërkombëtar nuk ka pasur pajtueshmëri në vendimet që janë marrë. Andaj, unë konsideroj që këto diskutime kanë qenë të shëndetshme, për t’i mirëmbajtur marrëdhëniet historike që i kemi me SHBA-të”, shton ai.

Sipas tij, tani duhet të shkohet në zgjedhje në veri, por pasi të plotësohen parakushtet për arrestimin ose largimin në serbi të grupeve kriminale në veri.

“Tash është momenti që të shkohet në zgjedhje në veri, por natyrisht këto zgjedhje duhet t’i kenë disa parakushte që duhet plotësuar. Ndër to kryesoret është që grupet kriminale ose të arrestohen, siç po arrestohen në Kosovë, ose të tërhiqen në Serbi dhe të shkojnë ta ruajnë presidentin Vuçiq atje”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/

Ish deputeti i LDK-së: Kurti ta kuptojë seriozitetin e kërkesave SHBA-BE, ndryshe paguajmë çmim të lartë për kryeneçësi politike e ego personale

Haradinaj thirrje Kurtit: Qysh sot përfilli këshillat e Blinken për normalitet në veri – po hyjmë në fazë të rrezikshme, koha s’pret