Lajme

Zemërohen italianët pasi turisti filmohet duke gdhendur emra në Koloseum

06/27/2023 07:56
nga:G B

Ministri i Kulturës i Italisë thotë se një turist i cili u filmua duke gdhendur emrat e tij dhe të dashurës së tij në Koloseum në Romë duhet “të identifikohet dhe të sanksionohet”.

Gennaro Sangiuliano i përshkroi veprimet e burrit si “të padenja dhe një shenjë e pafytyrësisë së madhe”.

Pamjet e turistit janë shfaqur në internet. Ai përdori çelësa për të shkruar emrat në ndërtesën, e cila është pothuajse 2000-vjeçare.

Me të dashurën e tij në krah, ai shkruan “Ivan + Hayley 23″ përpara se të kthehet dhe të buzëqeshë para kamerës.

“Unë e konsideroj shumë serioze, të padenjë dhe një shenjë të pafytyrësisë së madhe që një turist prish një nga vendet më të famshme në botë, Koloseumin, për të gdhendur emrin e të fejuarës së tij. Shpresoj që kushdo që e ka bërë këtë do të identifikohet dhe sanksionohet sipas ligjeve tona”, ka shkruar në Twitter Sangiuliano.

Nëse kapet, turisti rrezikon një gjobë prej 15,000 euro dhe mund të dërgohet në burg, tha agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Në vitin 2015, dy turiste amerikane u akuzuan se kishin gdhendur inicialet e tyre në Koloseum.

Gratë, nga Kalifornia, gërvishtën shkronjat J dhe N me një monedhë, raportoi gazeta lokale Il Messaggero.

Ato u mbajtën për një kohë të shkurtër nga policia e Romës dhe u morën në pyetje.

Një vit më parë, një turist rus u gjobit për gdhendjen e shkronjës K në Koloseum.