Avokati kosovar, Ardian Bajraktari thotë se policët e liruar sot kishin akuza krejtësisht politike, pasi sipas tij, nëse do të bënin shkelje, procedura do të vazhdohej në Kosovë.
Bajraktari në një prononcim për GazetaBlic nuk përjashton mundësinë që të tre policët të marrin ndonjë dënim tjetër, pasi siç thotë ai, kjo bëhet për të qenë në trend politika e Serbisë.
“Fillimisht duhet bërë e qartë se policët janë liruar në procedurë të rregullt, akuzat natyrisht se janë politike, në rrethana normale, nëse policët do të bënin shkelje, procedura do të vazhdohej në Kosovë, por pasi janë akuza e floskula politike, është e pamundur”, tha Bajraktari.
“Në të ardhmen, për të qenë në trend politika serbe, nuk përjashtoj mundësinë e një dënimi qoftë edhe simbolik për tre policët tanë, për të përçuar mesazhet e ekzistencës së Serbisë në çdo tollovi, kur është në fokus Kosova”, shtoi ai.
Bajraktari thekson se, politika e shtetit serb është e lidhur me sistemin juridik të këtij vendi dhe kjo sipas tij, vërtetohet në sjelljen e gjyqësorit serb ndaj krimeve në Kosovë .
“Kushdo e njeh sistemin juridik të ish pushtetit serb, e ka të qartë lidhmërinë e politikës me gjyqësor, për më keq, gjyqësia është në shërbim të politikës së shtetit. Kjo qartësohet me sjelljen e gjyqësorit serb ndaj krimeve në Kosovë dhe s’do koment, por, momentumi është për të stabilizuar profilin e presidentit serb si paqekrijues e paqësor”, thotë ai.
“Normalisht, është propagandë e krijuar për dyer të mëdha të hyrjes në skenë të Vuçiqit dhe imponimin e presidentit serb në agjendat rajonale, madje, për të balansuar ato që nuk balansohen, kriminelin dhe viktimën”, shton ai.
Bajraktari thotë se nuk pritet asgjë e mirë. Ai vlerëson se Vuçiq i liroi policët për kredi të brendshme.
“Tre policët tanë, nuk kanë qenë në Serbi por në Kosovë dhe kjo flet mjaftë. Presidentit serb i duhet një kredi e re, për klimën e brendshme, për pazare dhe imponimin e profilit të tij, pra, gjyqësori është në shërbim të tij dhe asgjë e mirë nuk pritet, as sot, as mot”, tha Bajraktari për GazetaBlic.
“Lirimi i policëve të kidnapuar nga Serbia do të rikthejë procesin e dialogut”