Lajme

Haradinaj: Kurti e Vuçiq nuk mund t’i ikin përgjegjësisë për policët e rrëmbyer – i liroi diplomacia amerikane

06/26/2023 14:11
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se lirimi i tre policëve kosovarë është lajm i mirë, por që nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se as presidenti serb e as kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë.

Ai ka shtuar se lirimi i tyre është bërë i mundur nga diplomacia amerikane, andaj falënderimi shkon për të.

Postimi i tij i plotë:

Lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre. As Presidenti i Serbisë e as Kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë.

Policia e Kosovës nuk duhet të paguajë çmim për veprimet e papërgjegjshme e kalkuluese politike të regjimit në Serbi, apo të veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë në Prishtinë, e cila çoi në rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj, për më shumë se dhjetë ditë.

Lirimi i tyre është bërë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane, prandaj gjithë falënderimi dhe mirënjohja jonë shkon për ta.