Lajme

Sveçla: Serbia vazhdon me lojërat e saj, do t’i përndjekë policët kosovarë në liri

06/26/2023 12:01
nga:G B

Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia po vazhdon me lojërat e saj, ku edhe pse janë liruar, policët kosovarë do të përndiqen nga Serbia në liri, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Ai ka shtuar se ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e bërë.

Postimi i tij i plotë:

Serbia vazhdon me lojërat e saj.

Policët tanë sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës. Për t’u bashkuar kështu me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.