Lajme

Osmani shpreh ngushëllime për viktimat nga vërshimet: Humbja tragjike e dy qytetarëve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën

06/25/2023 11:01
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se humbja e dy qytetarëve si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka shprehur ngushëllime për familjarët, kryetarin e Pejës e të gjithë qytetarët e kësaj komune për humbjen tragjike.

Osmani ka shtuar se në këto momente është me rëndësi që të vazhdojë përkrahja nga FSK e të gjitha institucionet për raste të tilla, që Peja ta përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë tragjike.

Postimi i saj i plotë:

Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike.

Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike.