Për 120 vrasjet që kanë ndodhur menjëherë pas luftës në rajonin e Pejës, me të cilat janë marrë ndërkombëtarët, akoma asnjë autor nuk është gjetur.
Por gjërat kanë ndryshuar prej kur zbulimi i veprave penale në komunat Pejë, Deçan, Istog, Klinë e Junik, ka kaluar nën administrimin e Prokurorisë së Pejës.
Nga kjo Prokurori thonë se nga 21 vrasjet e fundit në këtë territorin e këtij rajoni, 20 prej tyre prokuroria ua ka gjetur autorin.
“Që nga pasulfta në Prokurorinë e Pejës janë 120 vrasje pa autor, e këto vrasje kanë ndodhë nga 99 nën administrimin, e KFOR-it, EULEX-it, UNMIK-ut, por nga 21 vrasjet e fundit që kanë ndodhë, në kompetencën territoriale që kanë ndodhë të Prokurorisë së Pejës, 20 vrasje sipas Prokurorisë kanë autor, të cilat disa prej tyre kanë marrë edhe aktgjykim dënues, disa janë duke u gjykuar mirëpo, jemi në rrugë të mirë që të gjitha rastet e vrasjeve të trajtohen me prioritet në departamentin e krimeve të rënda”, ka thënë Shkodran Nikçi, Zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.
Bile Nikçit, gjithë këtë territor e mbulojnë një numër i vogël i prokurorëve të Departamentit të Krime të Rënda.
“Në gjithë këtë kompetencë territorial krimet e rënda i mbulojnë 5 prokurorë, të gjitha veprat penale që parashihen se kalojnë në këtë departament, për neve ka qenë sfiduese, sidomos këto rastet e vrasjes, por siç e thashë kemi pasur një rezultat pozitiv”, ka shtuar ai Shkodran Nikçi, Zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.
Nga ana tjetër njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se moszbulimi i vrasjeve të pasluftës tregon mosefikasitetin e ndërkombëtarëve dhe trajtimin jo serioz që i është bërë Kosovës.
Ai thotë se Prokuroria e Pejës në këtë rast e ka dëshmuar të kundërtën.
“Organet e Republikës së Kosovës, dhe Prokuroria e vendit, në momentin që po u ofrohet mundësia dhe hapësira, në rritjen e kapaciteteve të mëtutjeshme ku mund të tregojë sukseset e tyre, dhe zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, pra EULEX-i, UNMIK-u dhe KFOR-i e kanë treguar veten neglizhent dhe jo efikas”, ka deklaruar Drizan Shala, Njohës i çështjeve të sigurisë.
Ndër dy rastet më të rënda të vrasjeve që kanë ndodhur së fundmi në rajonin e Pejës, konsiderohet vrasja e nënës nga djali i saj, dhe vrasja e trefishtë në Gllogjan, ku ndaj autorëve të dyshuar ka nisur gjykimi. (RTV Dukagjini)


