Lajme

DASH kërkon hapa urgjent për de-përshkallëzimin e situatës në veri dhe rikthimin në dialog

06/24/2023 08:18
nga:Y I

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) sërish ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa urgjent dhe konkret në depërshkallëzimin e situatës, si dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

DASH ka thënë se kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe para më shumë se një jave.

DASH ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shumë të qartë për pritshmëritë e tyre nga të dyja palët.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa urgjent, konkretë për të de-përshkallëzuar tensionet. Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të ndaluar në Serbi”, thuhet në një përgjigje të DASH-it për Zërin e Amerikës (në gjuhën serbe).

Më tej, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se “të dyja palët duhet të ndjekin planin e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë dje se është shumë i alarmuar me situatën në veri të Kosovës.

Ai e ka kritikuar fuqishëm Kosovën, duke reaguar pas arrestimeve të reja nga Policia e Kosovës ndaj të dyshuarve për dhunë ndaj KFOR-it dhe pas marshimit të rregullt Ushtrisë së Kosovës në Mitrovicën jugore.

Arrestimet e serbëve ai i ka konsideruar si arreste pa përfillje të procedurave gjyqësore.

Në fund, Borrell shkurtimisht ka kritikuar edhe Serbinë, për retorikën e saj nxitëse.

“Shumë i alarmuar për situatën në veri të Kosovës: me arrestimet jashtëgjyqësore të serbëve & dhe marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën jugore; përcjellë nga një retorikë e ashpër nga Serbia”, ka shkruar Borrell.

Ai ka thënë se ky eskalim në rritje, nuk do të tolerohet.

“Përkundër takimit të krizës dje, eskalimi po vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar në fund ai.

Borrellit i ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se marshimi i Forcave të Armatosura të Kosovës në Mitrovicën e jugut sot, ishte vetëm stërvitje rutinore, e planifikuar në bazë vjetore, për të cilën është informuar edhe KFOR-i.

Interpretimet se kjo ecje e FSK-së në Mitrovicë ishte një lëvizje drejt tensionimit të situatës, Kurti i ka quajtur dezinformata.

Ai ka thënë se këto interpretime janë dezinforma të rrezikshme dhe të papranueshme.

“Stërvitjet e sotshme të Regjimentit të Tretë të FSK-së në Mitrovicën e Jugut janë një rutinë e planifikuar në bazë vjetore, për të cilën është i informuar plotësisht KFOR-i. Është përbërë prej 215 ushtarëve që kanë ecur nga Kazerma “Minatori” në Frashër dhe prapa. Dezinformatat janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, ka shkruar kryeministri.