Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti këtë të premte konferencën e përjavshme për media, ku u ndal sërish tek zgjedhjet e 14 majit.
Berisha theksoi se zgjedhjet nuk mund të njihen pasi ka pasur manipulime dhe tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve.
Nga selia blu Berisha ndau sërish pamje ku shihen punonjësit e pajisjes së identifikimit që instruktojnë zgjedhësit si të votojnë. Berisha i cilëson punonjësit e pajisjes së identifikimit si xhandarët e votës që kanë votuar në vend të zgjedhësve. Berisha ftoi qytetarët në protesta për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit.
Janë përdorur të gjitha teknikat për të maskuar, për të manipuluar zgjedhjet, faktikisht nuk ka pasur zgjedhje. Këto video i ka vlerësuar, parë KAS-i dhe i ka quajtur normale. A mund të imagjinoni ju një institucion. Kam konstatuar se armiqtë më të këqinj të ligjit, janë juristët e korruptuar. Mos e harroni këtë që ju thashë.
Ligji nuk ka armiq më të egër se juristin e korruptuar. Qoftë ai gjykatës, prokuror, nënpunës, ministër, qoftë çfarë do qoftë, ai është armiku më i egër i ligjit. Këto ishin disa qendra, por ju garantoj se mbi 70-80% e qendrave në mbarë Shqipërinë kanë qenë të këtij karakteri, kaosi.
Kudo punonjësi i pajisjes së identifikimit ka luajtur rolin e xhandarit të votës dhe të zgjedhësit. Aty ku ka pasur makineri votimi kanë votuar për ta.
Ndaj dhe këto zgjedhje nuk mund të njihen. Këto zgjedhje janë dëshmia më e fortë, më flagrante e domosdoshmërisë jetike, për tu ngritur shqiptarët në protestë dhe për të rikthyer votën e lirë.
/Euronews Albania/


