LDK dhe PDK kanë refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani, për takim me të sot, në ftesën e saj drejtuar partive opozitare, lidhur me situatën aktuale në vend.
AAK ishte partia e vetme opozitare që shkoi në takim, e përfaqësuar nga kryetari i saj, Ramush Haradinaj.
Lidhur me refuzimin e ftesës së LDK e PDK, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është obligim juridiko-politik të shkohet në takim.
“Nuk është në kuadër të ndërtimit demokratik refuzimi i ftesës për takim nga kreu i shtetit. Aq më pak, kur çështja apo tema e diskutimit është rendi dhe siguria në Republikë. Sot i ftoi Presidentja në takim partitë opozitare parlamentare. LDK dhe PDK nuk shkuan. Shkoi vetëm AAK. Është obligim juridiko-politik të shkohet në takim. Jo pse ligji i obligon, por pse janë subjekte që kanë përgjegjësi për rend dhe siguri. Çështja e rendit dhe e sigurisë është e të gjitha organeve të Republikës. I takon qeverisë, pushtetit administrativ, atij legjislativ, çdo organi, subjekti dhe qytetari të Republikës të jenë në lartësinë e detyrës së shtetit”, thotë ai.
Sipas Kelmendit, mos shkuarja në takim te presidentja, është papërgjegjësi e partive opozitare, pasi kanë obligime në ruajtjen e paqes dhe të rendit.
“Mos shkuarja në takim te Presidentja është papërgjegjësi kundruall normave me të cilat është ndërtuar Republika. Si pozita, ashtu edhe opozita kanë obligime në ruajtjen e paqes dhe të rendit e të sigurisë. Askush nuk mund të ikë nga detyrat mbi këtë çështje vitale të shtetit. Mos pjesëmarrja vetëm tregon urrejtjen dhe interesat politike e karrieriste për pushtet, në krahasim me vetë shtetin e Kosovës”, vlerëson profesori për Gazeta Blic.
Ai potencon se masa ndëshkuese juridike nuk ka, por që dënimi më i rëndë do të jepet nga votuesit.
“Kuptohet se masa juridike ndëshkuese nuk ka. Mirëpo, dënimi më i rëndë do të jepet nga votuesit. Në zgjedhje nuk do të harrohet kjo mospërgjegjësi e lartë për shtet. Në fakt, kështu tregohet se shteti, nga subjektet parlamentare nuk po mbrohet. Ato e shfrytëzojnë shtetin dhe asgjë nuk po i japin shtetit”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/


