Lajme

Shkullaku: Vendimi i ARBK-së për Klan Kosovën sot mori trajtat e komedisë

06/22/2023 22:02
nga:G B

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), gjatë ditës së sotme ka marrë një vendim të ri në lidhje me çështjen “Klan Kosova”.

Sipas njoftimit për media, thuhet se është anuluar vendimi i djeshëm i cili anulonte vendimin paraprak për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova Sh.P.K.

Ndërkaq, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, është diskutuar me analistë e opinionistë kjo çështje.

Opinionisti Armand Shkullaku ka thënë se vendimi i sotëm i ARBK-së ka marrë trajtat e komedisë.

“Vendimi herën e parë qe shumë shqetësues, ishte pa dyshim ndërhyrje e dhunshme ndaj medias, pavarësisht se për cilën media bëhet fjalë, duke heq anën time personale me Klan Kosovën, por të njëjtin mendim e kam për çfarëdolloj medie. Ndërsa sot mu duk sikur kishte marrë trajtat e komedisë! Sepse pezullim i vendimit për pushimin e pezullimit? Pra, ka arrit një rebus që mendoj se është komedi, për dy arsye: e para, sepse nuk ndodh që një vendim për një media kombëtare, për një media të rëndësishme, më të rëndësishme do të thosha unë në Kosovë, të merret një vendim me kaq lehtësi i cili rezulton që është marrë gabim, pastaj që është korrigjuar, pastaj që bëhet korrigjimi i korrigjimit… Pra kjo është pjesa që tregon qysh një aksion i pamenduar dhe kjo do-s’do i ka elementet e komedisë, dhe e quaj komedi edhe për faktin tjetër që kjo është një betejë do të thosha e humbur që në fillim, në cilindo pushtet, kushdo që të ishte, beteja me median është e humbur që në fillim”, deklaroi Shkullaku.

Ai tutje tha se sikur të bëhej fjalë për një media anomike, që nuk i dihet adresa e përmbajtja, atëherë “sigurisht që strukturat dhe organet shtetërore përgjegjëse duhet të merren me të”.

Por, ai tha se në rastin konkret, po flitet për një media licencimi dhe e drejta e saj për të transmetuar nuk është e certifikuar as nga ARBK-ja, as nga qeveria, as nga institucionet, është e certifikuar nga qytetarët e Kosovës.

“Në 14 vjet ne kemi një media si Klan Kosova, që ka një kontent të pranuar nga qytetarët e Kosovës, ka një kontent nga më cilësorët, dhe që kurrë nuk ka pas probleme në këto 14 vjet që mund të kenë prekur interesa, që mund të kenë cenuar dikë, që mund të ketë bërë thirrje luftënxitëse, thirrje raciste, programe provokuese, gjë që parashikohen në licencimin e çdo media, pra nëse programi i saj shkel disa rregulla të tilla, atëherë patjetër që duhet të rishqyrtohet e drejta e transmetimit. Këtu flasim për një media që ka të punësuar rreth 200 njerëz, ata jetojnë në Kosovë, punojnë në Kosovë, prodhojnë në Kosovë, dhe prodhimi i tyre është produkt publik që është i certifikuar nga publiku”, theksoi më tej ai.

Tutje, ai foli edhe për çështjen e subjektivitetit të Klan Kosovës, duke thënë se përmbajtja e klan Kosovës, vetë Klan Kosova, është një subjekt juridik më vete.

Sipas tij, pronarët apo aksionarët e mediumit mund të kenë probleme, mirëpo ata, sipas Shkullakut, nuk e përfaqësojnë subjektin.

“Subjekti juridik ka disa rregulla të veta për të cilat është certifikuar. Mund të bëj një shkelje unë si pronar, por kjo nuk penalizon një subjekt tjetër juridik që certifikohet për shkak të programit. Mendoj se sa më shpejt që të mbyllet kjo histori, aq më mirë do të jetë edhe për qeverinë. Unë nuk e di a është bërë me urdhër, nuk mund të vë dorën në zjarr nëse ka pasur direktivë që të goditet Klan Kosova… Po them se një orë e më parë, qeveria duhet ta kuptojë se zgjatja e kësaj historie do të kthehet në bumerang, si për kryeministrin ashtu edhe për qeverinë. Dhe nga pikëpamja e tyre pragmatike, politike nuk ka asnjë lloj benefiti, asnjë lloj kuptimi që të vazhdohet një çështje e tillë. Për mua është totalisht absurde. Nëse kanë probleme që duhet të verifikojnë nga pikëpamja e taksave, tatimeve, verifikimeve është e drejtë e shtetit, dhe ne të gjithë nuk kemi imunitet përballë ligjit”, deklaroi Shkullaku.