Lajme

“Takimi urgjent Kurti-Vuçiq”- Deklarohen për “Gazeta Blic” nga PDK, LDK dhe AAK!

06/22/2023 12:46
nga:Y I

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel, ka thirrur në takim urgjent në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të diskutuar për situatën e tensionuar në veri të vendit, raporton Gazeta Blic.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, duke folur në lidhje me këtë takim tha se është e domosdoshme që të gjendet një zgjidhje për situatën në veri.

“Mendoj se në veri është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje ku të respektohet rendi, ligji si në pjesët e tjera të Republikës së Kosovës edhe në pjesën veriore nuk duhet të kemi pjesë të veçanta të shtetit”, tha ai për Gazeta Blic.

Ai tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë nga Vuçiq që të mos ndikojë tek strukturat keiminale në veri.

“Bashkësia Ndërkombëtare duhet të kërkojë edhe nga Aleksandër Vuçiq që mos të ndikojë tek strukturat kriminale në veri që të bëjnë destabilizimin e vendit. Mendoj që se rendi dhe ligji duhet me qenë për të gjithë qytetarët i njëjtë dhe me vlerë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Beqa për “Gazeta Blic”

Hajdar Beqa, PDK

Të domosdodhëm po e cilëson takimin edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj tha se pas gjendjes së krijuar duhet patjetër që përfaqësuesit ndërkombëtarë të marrin situatën në dorë.

“Po, Takimi mes Kurtit dhe Vuçiçit me Borrelin është një domosdoshmëri për status-quon që jemi si shtete. Gjendja e krijuar për muaj të tërë kërkon nevojën që përfaqësuesit ndërkombëtar të marrin timon dhe të rregullojnë raportet e brishta mes të dy vendeve. Uroj dhe po shpresojë që bashkësia ndërkombëtare të ketë parë fytyrën e vërtetë të Serbisë ditëve të fundit, sepse trazirat dhe keqësimin e situatës e sollën ata në komunat veriore” tha Lekaj për “Gazeta Blic”

Ai u shpreh optimist se do të ulen tensionet dhe tha se Kurti e ka mbështetjen e AAK-së nëse nuk bën dakoordime në dëm të shtetit të Kosovës.

“Besojmë që do të ulen tensionet, sepse të gjitha ngjarjet dhe protestat e veriut janë të dirigjuara dhe inskenuara nga Serbia, prandaj mjafton një urdhër nga Beogradi dhe gjendja do të kthehet në normalitet. Madje një Kosovë e qetë dhe pa probleme është nevojë urgjente, sepse po hyjmë në sezonën kur fillojnë të vijnë diaspora jonë dhe atyre nuk ju duhen pritje e maltretime në kufijtë e Kosovës. Megjithatë z. Kurti në çfardo rrethana, në takimet që do ti ketë, nuk duhet të bëjë lëshime dhe dakordanca në dëm të shtetësisë së Kosovës, dhe mbi këtë parim e ka përkrahjen edhe të partisë tonë”, tha Lekaj.


Pal Lekaj, AAK

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi po shprehet optimiste se në këtë takim mund të arrihet marrëveshje për qetësimin e situatës në veri.

Krasniqi tha për “Gazeta Blic” se është e rëndësishme që ky takim të shfrytëzohet edhe për lirimin e tre policëve.

“Marrë për bazë disponushmërisë për takim, pas tensioneve të fundit në Veri të Kosovës, jam optimiste se mund të arrihet një marrëveshje për qetësimin e situatës atje. Eskalimi i situatës nuk i shkon në favor vendit, veçmas kur veprimet në atë pjesë bëhen pa koordinim me aleatin tonë kryesor SHBA-së. Po ashtu është e domosdoshme që ky takim të shfrytëzohet për lirimin e tre policëve të arrestuar nga forcat serbe”, tha Krasniqi për “Gazeta Blic”


Rrezarta Krasniqi, LDK

Kryediplomati evropian, Josep Borell do t’i pres sot në Bruksel kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq.

Kjo është konfirmuar nga Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media.

“Pas zhvillimeve në veri të Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell i shoqëruar nga emisari Miroslav Lajçak, do të mbajë sot disa për menaxhim të krizës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti në Bruksel.”thuhet në komunikatë raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Borrell thërret në takim urgjent Kurtin e Vuçiq

Sot nisin takimet në Bruksel