Sporti

U detyrua të operohet nga lëndimi, Uka: Faza e rikuperimit ka shkuar në mënyrën më të mirë, do të jem gati për sezonin tjetër

06/21/2023 20:11
nga:Mergim Rreci

Kreshnik Uka është njëri ndër futbollistët më të dalluar në futbollin kosovar.

Sulmuesi i Prishtinës ishte jashtë fushës së blertë në pjesën e fundit të edicionit, kjo për shkak të një lëndimi që pësoi në ligamente.

Madje, ai u detyra të operohej për shkak të këtij lëndimi, por tashmë gjërat duket se po shkojnë në rrugën e duhur, me Ukën që po bëhet gati për edicionin e ardhshëm.

Në një pronononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Uka tha se faza e rikuperimit po shkon edhe më mirë sesa e kishte pritur, atje ku brenda një kohe të shkurtër do të rikthehet në stërvitje.

“Mund të them që faza e rikuperimit ka shkuar në mënyrën më të mirë, madje ka elemente që janë përmirësuar më herët sesa që pritej. Brenda një kohe të shkurtër do të fillojë edhe stërvitjet me skuadrën. Lëndimi më penalizoi pak, por unë nuk do të ndalem dhe jam gati për të zhvilluar një edicion sa më të mirë në atë që po vjen”, tha Uka.

Kujtojmë se ai ka edhe një vit kontratë me skuadrën nga kryeqyteti, kurse më herët ka qenë pjesë e skuadrës së Drenicës.

/GazetaBlic Sport