Betim Gjoshi nga PDK ka thënë se Albin Kurti është degraduesi më i madh i postit të kryeministrit të Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kurti në opozitë kërkonte shkarkimin e Jabllanoviqit që kishte fyer nënat nga Gjakova, ndërsa tani si kryeministër deklaron se do ta pranonte të njëjtin si kryetar të Leposaviqit.
Ai ka shtuar se Kurti sot bëri paraqitje skandaloze, duke u mbështetur në thashetheme dhe jo në fakte dhe se deklarata e tij për Jabllanoviqin fyen punën e institucioneve të sigurisë.
Postimi i tij i plotë:
ALNIN KURTI, KY DEGRADUES I MADH I POSTIT TË KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS
Albin Kurti, gjatë opozitarizmit të tij e kishte rrotulluar Kosovën në kërkim të shkarkimit të Aleksandër Jabllanoviqit, i cili i kishte fyer rëndë nënat nga Gjakova.
Por, tani si kryeministër, deklaroi se ka qenë i gatshëm që ta pranonte të njëjtin Jabllanoviq si kryetar të Leposaviqit.
Ende pa u bërë një javë nga deklarata e mësipërme, Kurti, siç e pranoi edhe vet, bëri një paraqitje skandaloze duke u mbështetur në thashetheme dhe jo në fakte. Kjo qasje joserioze e Kurtit, i dha mundësinë Jabllanoviqit që të tallet publikisht me të.
Deklarata e sotme e Kurtit e degradon postin e kryeministrit dhe e bënë zyrën e tij një institucion që mbështetet në thashetheme e fjalë të kafeneve.
Gjithashtu, kjo deklaratë, fyen punën e institucioneve tjera shtetërore dhe sidomos atyre të sigurisë/drejtësisë.
Në fakt, e gjithë karriera politike opozitare e Kurtit është e mbështetur në thashetheme të tilla, konspiracione e shpifje për kundërshtarët politikë shqiptar.


