Sporti

Gabaj optimist para ndeshjes me Ishujt Faroe: Kualifikimi në Evropian është i arritshëm, do ta mposhtnim Serbinë në mes të Beogradit

06/20/2023 18:03
nga:Mergim Rreci

Pas fitores me Moldavinë të shtunën, Kombëtarja shqiptare do të rikthehet sërish në fushë sontepër ndeshjen e tretë të Grupit E ndaj Ishujve Faroe, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Kuqezinjtë kanë udhëtuar në transfertë dhe objektivi i vetëm është fitorja, me takimin që luhet me fillim nga ora 20:45, shkruan GazetaBlic Sport.

Gazetari nga Shqipëria, Enriko Gabaj ka deklaruar për ‘GazetaBlic Sport’ se Shqipëria duhet t’i fitojë ndeshjet ndaj kundërshtarëve më të dobët, për të tentuar më pas kualifkimi e madh.

“Shqipëria ka ardhur me një fytyrë të re nën drejtimin e Sylvinhos, këtë e tregoi loja e mirë ndaj Polonisë dhe fitorja ndaj Moldavisë. Kuqezinjtë mund të them se luajtën më mirë me Poloninë, normalisht të pafat, por edhe ishte ndeshja e parë me trajnerin e ri. Gjithsesi këto dy ndeshje ishin një tregues i performancës pozitive dhe rritjes së nivelit të lojës“.

“Moldavia nuk është një skuadër që mund të masësh forcën, por një skuadër që mund të rregullosh bilancin e golave, mendoj në të njëjtën pikë janë dhe Ishujt Faroe. Pavarësisht mungesave, kuqezinjtë po paraqiten mirë, të mos harrojmë që kualifikimi sigurohet duke mposhtur ekipet jo favorite dhe duke u mbrojtur ndaj të mëdhenjve“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai foli për ndeshjen e sotme, atje ku tha se edhe një fitore minimale do të ishte e pranueshme, kjo sepse kundërshtari edhe pse nuk ka yje, ka ditur të jetë skuadër e rrezikshme.

“Ishujt Faroe janë një tjetër skuadër, që unë do i konsideroja jo e nivelit tonë, por as që mund ta nënvlerësosh. Lojtarët tanë luajnë në top 5 ligat kryesore, ndërsa ata kundërshtarë në kampionate të vogla, por mos harrojmë fitoren ndaj Turqisë në 2022. Për më tepër barazoi dhe ndaj Kosovës 1-1, ndaj një tjetre skuadre që ka yje, por nuk ka një busull orientuese”.

“Shpresoj për një fitore, ndoshta edhe minimale pasi lënia e pikëve do të ishte vrastare për ëndrrën Euro 2024. Shqipëria ka një problem që shfaqet dukshëm dhe ai është mungesa e rasteve për shënim. Po të shohësh ndeshjet prodhojnë pak raste, një pjesë e të cilave nuk shfrytëzohen. Mos harrojmë që kemi në ekip lojtarë golashënues si Uzuni, Asani apo Cikalleshi, por asnjëri prej tyre nuk po paraqitet me kombëtaren në atë formë si me ekipet e tyre“, vazhdoi tutje ai.

Krejt në fund, Gabaj bëri edhe një koment interesant, duke thënë se në Evropian do të shkonin 100% në rast se në grup do ta kishin Serbinë, kurse parashikoi poashtu rezultatin e ndeshjes.

“Ky evropian duket i arritshëm, megjithse në fakt ne shkojmë në Evropian vetëm kur mundim Serbinë. Në 2016 e lamë pas, nëse do ishte e mundur do ndërronim menjëherë grupin që t’i kishim kundërshtarë e tu tregojmë se si fitohet në mes të Beogradit“.

“Dua të bëj dhe një parashikim për transfertën me Ishujt Faroe, besoj në një fitore të pastër me rezultat 2-0 apo 3-1, por shpresoj të mos u shtohet lojtarëve euforia e cila më pas do të kthehej si një boomerang në ndeshjet e ardhshme”, përfundoi Gabaj.

/GazetaBlic Sport/