Lajme

“Gabim fatal të mos merret parasysh DASH-i, pasojat do të jenë të pariparueshme – Qeveria ka edhe pak kohë të reflektojë”

06/18/2023 22:56
nga:G B

Mirsad Voca, doktor shkence në marrëdhënie ndërkombëtare, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për masat ndaj Kosovës nga ndërkombëtarët, për shkak të situatës së fundit në veri të vendit.

Ai vlerëson se është gabim fatal të mos merren parasysh kërkesat e DASH-it për situatën në veri.
“Është gabim fatal të mos merren parasysh kërkesat e DASH krahas situatës në veri, megjithë faktin se Kosova ka të drejtë në shtrirjen e ligjit dhe rendit në veri të vendit. Zhvendosja e dy kryetarëve në lokacione alternative dhe tërheqja e njësisë speciale nga komunat do të duhej të bëhej pa vonesë në këmbim të zgjedhjeve të lira dhe pa bojkot nga ana e Serbëve, të cilët do të mund të zgjidhnin kandidatët e preferuar të tyre pa ndërhyrje nga Beogradi. Dhe këtë do ta përkrahte edhe bashkësia ndërkombëtare”, thotë ai.

Sipas Vocës, insistimi aktual nuk do të shpie askund dhe se Kosova nuk mund të veprojë e vetme.

“Nuk është politikë frytdhënëse insistimi aktual sepse nuk do të shpinte askund veçse në ngërçe të njëpasnjëshme. Nuk mund dhe nuk ka gjasë që Kosova të veprojë e vetme në këto rrethana sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me politikë të brendshme por të jashtme dhe sepse implikimi i faktorit ndërkombëtar në normalizimin e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë ndërlidhet me aspektin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe ky është ekskluzivisht prioritet në politikën ndërkombëtare aktuale”, thekson ai për Gazeta Blic.

Ai potencon se me veriun duhet të veprohet me maturi të jashtëzakonshme dhe se çdo veprim pa koordinimin me aleatët do të krijonte situata të pafavorshme dhe të pariparueshme.

“E kam theksuar edhe herën e kaluar që sa i përket veriut duhet veprohet me maturi të jashtëzakonshme, sepse veriu ndërlidhet me bisedimet aktuale dhe pa marrë parasysh të drejtën që ka Kosova në shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë, kjo duhet të bëhet në koordinim të plotë dhe të ngushtë dhe me miratim të partnerëve tanë. Çdo veprim tjetër do të shpinte në drejtime aq të pasigurta dhe të paparashikueshme që do të mund të krijonin situata të pafavorshme dhe të pariparueshme. Në anën tjetër Kosova mund të zgjedhë në forma tjera strategjinë e futjes së veriut nën ombrellën kushtetuese të Republikës së Kosovës”, shton Mirsad Voca.

Më tej, ai vlerëson se Kosova do të humbasë dhe favorizohet Beogradi, që e shfrytëzon këtë dobësi të Kosovës.

“Pastaj, Kosova vetëm sa do humbas me këtë jofleksibilitet politik i cili nuk premton asgjë dhe përkundrazi favorizon politikën aktuale të Beogradit e cila e ka kuptuar si të shfrytëzojë dobësinë e lidershipit kosovar në këto rrethana delikate ku natyrisht që kërkohet një fleksibilitet politik dhe assesi kryeneçësi. Vetëm në këtë formë Kosova do të mund të ruajë raportet frytdhënëse me partnerët e saj dhe do të mund të evitoj pasoja të ndryshme të cilat do të dëmtonin reputacionin, ekonominë dhe miqësinë e vendit me shtetet mike të saj”, thotë ai.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare thekson se Kosova nuk guxon të mendojë aleatë tjerë, ndërsa që Serbia luan lojën për orientim kah perëndimi, por që ka aleatë vetëm Kinën e Rusinë.

“Mbi të gjitha, ani pse Serbia do të mund të luante lojën kinse orientohet kah perëndimi, Kosova nuk ka asnjë aleat tjetër rezervë dhe nuk guxon as të mendojë në atë drejtim për aleanca tjera, ndërsa Serbia ka aleatët e saj të besueshëm dhe të përhershëm siç është Rusia dhe Kina”.

Sipas tij, nëse Kosova vazhdon në qëndrimet e saj, do të ketë si pasojë situata të pakëndshme dhe me efekte të dëmshme, teksa shton se qeveria ka ende pak kohë për reflektim, derisa nuk është turp po mençuri t’i dëgjojë sponsorët më të mëdhenj të krijimit të shtetit të Kosovës.

“Nëse Kosova vazhdon të insistojë në qëndrimet aktuale të saj, megjithë të drejtën e saj, do të ballafaqohet me pasoja dhe me situata të pakëndshme të cilat do të kenë efekte të dëmshme për shoqërinë e saj. Besoj se Qeveria aktuale ka ende pak kohë të reflektoj dhe nuk është turp por mençuri që të dëgjohen sponsorët më të mëdhenj në krijimin e shtetit të Kosovës”, deklaron Mirsad Voca./Gazeta Blic/