Lajme

Opozitarët kërkojnë nga Kurti të raportojë në Kuvend, Kusari-Lila: E kemi ftuar, vjen kur të ketë kohë

06/15/2023 12:16
nga:Astrit Gashi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të vijë në seancën e sotme plenare për të raportuar rreth rrëmbimit të tre policëve kufitarë nga forcat serbe, të mërkurën gjatë ditës në veriun e Kosovës.

Këtë e kërkoi edhe Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar i AAK-së, i cili tha se shefi i qeverisë të vijë e të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ndaj këtyre kërkesave dhe deklaratave, Mimoza Kusari-Lila u përgjigj duke bërë të ditur se e kanë ftuar Kurtin për të ardhur në Kuvend kurdo që e ka kohën në dispozicion.

“Nuk është një ditë e zakonshme, është e vërtetë se kemi ngarkesa dhe jemi të preokupuar me ngjarjet e fundit, në veçanti me aktin barbar të Serbisë, duke kidnapuar tre policë kufitarë të Kosovës. Po pajtohem plotësisht se i kemi bërë ftesë kryeministrit që kur e ka hapësirën kohore të vijë dhe të trajtojë temën me rëndësi të lartë në Kuvendin e Republikës”, shtoi ajo.

“Besoj se mandatet tona janë për të kryer punën se për çfarë jemi zgjedhur, për të vazhduar agjendën, ku përfitues janë qytetarët. Votimi i projektligjeve dhe marrëveshjeve që janë sot në agjendë janë mesazhi më i mirë për Republikën tonë”, deklaroi shefja e deputetëve të LVV-së.

Kusari tha se e mbështet kërkesën e opozitarëve që Kurti që vijë në seancë, “qoftë sot apo nesër”. “Kurdo që kemi informatë nga qeveria për ardhjen e kryeministrit që padyshim do të jetë në mesin tonë”.

Edhe kryekuvendari Glauk Konjufca, tregoi se e presin nga Qeveria e Kosovës një përgjigje për këtë çështje.