Lajme

Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të nëntë në seancën ndaj Thaçit dhe të tjerëve

06/15/2023 12:00
nga:Astrit Gashi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë edhe të enjten ka vazhduar seanca e së enjtes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e cila seancë do vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të nëntë (me kodin 01602).

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se sot do të përfundojë dëshminë dëshmitari i nëntë dhe do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sot do të përfundojmë dëshminë e dëshmitarit të prokurorisë 01602, pas të cilit do dëgjojmë dëshminë e dëshmitarit me numër 03540”, tha gjykatësi Smith.

Ndryshe, siç është paralajmëruar në seancën e djeshme, të akuzuarit tjerë janë të pranishëm në sallën e gjyqit, përveç Krasniqit, i cili është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.

Seanca ka vazhduar menjëherë në seancë private.

Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.