Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pasi sot janë kidnapuar tre zyrtarë të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe.
Ai tha se arrestimi i tyre ka ndodhur sot në ora 12:38 në “rajonin e Rashkës”.
Po ashtu, ai tha se Policia serbe nuk ka shkelur në territorin e Kosovës.
“Kjo bandë është arrestuar në ora 12:38 thellë në territorin e Serbisë qendrore, afër fshatit Gnjilicë të Komunës së Rashkës. Pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk e kanë shkelur Rezolutën 1444. të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes së Kumanovës”, tha Petkoviq.
Duke u lëshuar në propagandë, Petkoviq u shpreh se “se falë policisë serbe, këta terroristë shqiptarë u penguan të kryejnë një krim të rrezikshëm”.
“Ndryshe nga propaganda e bërë nga Prishtina se ata janë rrëmbyer, e vërteta është se ata kanë kaluar vijën administrative dhe kanë hyrë thellë në territorin e Serbisë qendrore. Ata që janë rrëmbyer janë serbët e pafajshëm Dushan Obrenoviq, Radoš Petroviq dhe Milun Milenkovic Luna të cilët janë arrestuar nga policia e Kosovës”.
Për dallim nga Petkoviq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pak më parë se kanë dyshime se ata janë arrestuar nga ushtria e Serbisë dhe se kjo është bërë si hakmarrje prej Serbisë për arrestimin e djeshëm të Millun Millenkoviqit.
Gjithashtu, shefi i qeverisë u shpreh se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është “agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, shkroi Kurti në Facebook.


