Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka folur për Gazeta Blic për zhvillimet aktuale në vend, pesë kushtet e kryeministrit Albin Kurti për deeskalim të situatës në veri, sanksionet nga ndërkombëtarët, zgjidhjen për të dalë nga kjo situatë e iniciativën për mocionin e mosbesimit.
Ajo thotë se është krijuar amulli e informacioneve dhe se Kurti mund të na befasojë çdo moment, derisa shton se është hera e parë që Kosovës po i vendosen sanksione nga aleatët e saj.
“Jemi në një amulli të informacioneve, pasi zoti Kurti në çdo moment mund të na befasojë pasi nuk është fare transparent, kemi të bëjmë me një qeveri jotransparente dhe kjo nuk është gjë e mirë që po i ndodh Kosovës, sepse është hera e parë që aleatët po i vendosin sanksione Kosovës dhe miqtë tani i kemi kthyer në kundërshtarë. BE ka kërkuar deeskalim të situatës në veri dhe Kurti i është përgjigjur me pesëpikëshin të cilin BE nuk e pranoi”, thotë ajo për Gazeta Blic.
Sipas Kadrijajt, Kurti e ka kthyer Kosovën pas me gjithë këtë krizë dhe pa koordinim me ndërkombëtarët.
“Ajo që kemi kërkuar nga zoti Kurti është që të ketë koordinim me ndërkombëtarët dhe po e shohim se edhe marrëveshjen për targat e ka bërë pa koordinim dhe tash vendosja e kryetarëve të komunave në pjesën veriore është bërë pa koordinim me aleatët tanë, gjë që ka shkaktuar të gjitha këto kriza dhe Kosovën e ka kthyer mbrapa. Po thirret në emër të shtrirjet së rendit dhe ligjit dhe ndoshta është hera e parë që nuk e dimë se ka rend dhe ligj dhe sa po respektohet ai në pjesën veriore”, vlerëson ajo.
Deputetja e AAK-së thekson se nuk e di ku po e çon Kosovën Kurti me këtë politikë, derisa do të jemi vendi më i izoluar e as nuk e kemi luksin të veprojmë të pavarur.
“Për neve janë shqetësuese krijimi i këtyre raporteve dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Po sanksionohemi edhe nga qeveria. Se ku do ta çojë kjo politikë e Albin Kurtit dhe nga do ta orientojë vendin ai nuk dihet. Do të jemi vendi më i izoluar. Ne nuk e kemi luksin që të veprojmë të pavarur dhe të papërkrahur nga aleatët tanë nga NATO, KFOR, EULEX dhe ky kundërshtim nuk i konvenon Kosovës e as qytetarëve të saj. Nxitja e një konflikti prapë nuk i shkon Kosovës për shtati, por vetëm Serbisë”, shprehet ajo për Gazeta Blic.
Sa i përket zgjidhjes për situatën e krijuar, deputetja vlerëson se Kurti është dashur të bashkëveprojë me ndërkombëtarët dhe jo ta bëjë i vetëm gjithë këtë.
“Kurti është dashur të bashkëveprojë me aleatët tanë, kemi bërë kërkesa të jetë më transparent në të gjitha proceset dhe bashkë me aleatët është dashur të gjejë një zgjidhje. Ne edhe për Asociacionin i kemi dhënë kushtet dhe Kurti është dashur të gjithë t’i diskutojë në takime dypalëshe e trepalëshe, sepse nuk mendoj se as miqtë tanë nuk duan tensionim të situatës e as pushtet të tretë në Kosovë. Kurti këtë rrugëtim nuk është dashur ta bëjë i vetëm por në koordinim me aleatët ndërkombëtarë”, shton ajo.
Sipas saj, është e tmerrshme që ta detyrojmë aleatin tonë kryesor të na vendos sanksione, teksa shton se Kurti po e çon në qorrsokak Kosovën.
“Është e tmerrshme ta detyrojmë aleatin tonë kryesor që të vendos sanksione ndaj nesh, është e patolerueshme, e paimagjinueshme për popullin e Kosovës edhe ne si deputetë, si qytetarë të Kosovës. Po pritet dhe po diskutohet në Bruksel për masa ndaj Kosovës, politike dhe financiare dhe nuk e di se ku po e çon kështu kjo qeveri Kosovën, prej një vendi pro amerikan, pro evropian, Kurti e ka sjellë në një vend dhe po e çon në qorrsokak Kosovën”, vlerëson Time Kadrijaj.
Ajo potencon se Kosova do të bllokohet në rrugën e saj euroatlantike.
“Kosova do të bllokohet në të gjitha proceset euroatlantike, do të ketë bllokadë dhe nuk e di sa ka Kosova mundësi që të rezistojë pa përkrahje ndaj të gjitha këtyre”, deklaron deputetja Kadrijaj./Gazeta Blic/


