Lajme

Dalja e Kurtit në “Javën e Krenarisë”, deputeti i VV’së: Kodi Civil nuk kalon në këtë mandat

06/14/2023 12:00
nga:Genita C

Deputeti i VV’së, Eman Rrahmani nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket mbështetjes së Kodit Civil, teksa daljen e kryeministrit Kurti në paradë e quajti të parëndësishme.

Rrahmani në një intervistë për GazetaBlic tha se Kosovës nuk i takon të promovojë komunitetin LGBT+.

“Është një veprim i kryeministrit, që përvec paradës ai ka shpreh mbështetje për atë komunitet në Kuvend, por edhe në inicimin e Ligjit që mbështesin aktivitetin e tyre”, tha ai.

“Për mua nuk ka rëndësi mbështetja në Kuvend, apo dalja. Nuk na takon neve si popull, si familje tradicionale që t’i promvojmë sepse mendoj që nuk është ndonjë vlerë”, shtoi Rrahmani.

Rrahmani e quan të pakuptimtë mbështetjen financiare për këtë komunitet, që sipas të cilit nuk është e dobishme për shoqërinë tonë.

“Qeveria dhe kryeministri ka qëndrimet e tij, po vazhdon aktivitetin e mbështetjes përmes institucioneve, organizatave që janë pro tyre. Për mua ka pak rëndësi a ka dalë kryeministri në paradë apo jo, por ajo çka nuk pajtohem është mbështetja që u jepet organizatave që i mbështesin këto, por edhe mbështetja financiare një diçkaje që nuk është e dobishme për shoqërinë tonë”, tha ai.

Ndonëse kryeministri Kurti kishte deklaruar se do të bëhet maksimumi që Kodi Civil të kalojë në Kuvend, sipas deputetit Rrahmani një gjë e tillë nuk do të ndodhë në këtë mandat.

Rrahmani dha këtë deklaratë, duke u bazuar edhe në qëndrimet e tjera të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Mendimi im personal është që nuk do të vie në Kuvend, me agjendën legjislative parashihet që të jetë gjatë këtij muaji. Nuk besoj që do të vie, sepse nuk janë votat dhe nuk besoj që do të kalojë gjatë këtij mandati, këtë po e them duke i parë edhe qëndrimet e deputetëve tjerë”, tha Rrahmani.
“Mund të ketë ndonjë përpjekje nëse ka dakordim mes subjekteve opozitare, por nga ajo çfarë unë kam parë brenda Kuvendit të Kosovës është shumë e vështirë të kalohet një ligj i tillë”, shtoi ai.

Rrahmani thotë se duhet të mbrohen vlerat dhe tradita e popullit tonë.

“Për mua është një vendim shumë i mirë i deputetëve që vazhdojnë t’i mbrojnë vlerat, kulturën e traditën familjare të cilën e kemi si popull”, tha Rrahmani për GazetaBlic.

Kujtojmë se, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se pjesëmarrjen në Paradën e Krenarisë, aktivistëve dhe përfaqësuesve të organizatave ua kishte premtuar

Ai tha se në Kosovë, të gjithë duhet të jenë barabartë dhe secili duhet ta ketë të garantuar e të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin.

“Për komunitetin LGBTI, shteti dhe shoqëria duhet t’i mbrojë dhe të mësojë për ta. Me këtë rast, unë shpreh indinjatën time për numër të madh të abuzimeve, kërcënimeve dhe diskriminimeve që përjetojnë ky komunitet”.

“Ju e dëgjuat se si në mënyrë krenare bënë thirrje për barazi e liri, e aty ku thërrasin për barazi e liri jam edhe unë si kryeministër, sepse Republika jonë ndryshe s’ka kuptim”, tha Kurti,.

Tutje, kreu i qeverisë tha se ata do ta bëjnë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend.

“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend. Edhe për nga vullneti dhe programi qeveritar, e edhe nga puna, nuk e kursejmë veten”, tha Kurti.

/GazetaBlic/