Lajme

Gjoshi reagon ndaj Kurtit: Nuk po i pritet të takohet me Vuçiçin – pse është kaq urgjent ky takim?

06/14/2023 10:36
nga:G B

Betim Gjoshi nga PDK ka thënë se Kurtit nuk po i pritet të takohet me Aleksandër Vuçiqin, derisa po i kërkon takim brenda javës, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se një takim kaq i shpejtë, i paplanifikuar është urgjent.

Ai ka pyetur se pse është kaq urgjent ky takim, duke shtuar se ai do të ishte një takim për kompromisin e radhës në dëm të Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

“Duam takim brenda javës me Aleksandër Vuçiqin”!

Nuk po i pritet Albin Kurtit të takohet me Aleksandër Vuçiqin. Po i kërkon takim brenda javës. Pra, një takim kaq i shpejtë, i paplanifikuar, është takim urgjent.

Ja pra ku kemi ardhur – Kundërshtari i madh i dialogut me Serbinë që shpallte tradhtar e kallte institucionet e Kosovës, kërkon takim urgjent me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, ish – ministrin e Informacionit të Sllobodan Millosheviqit.

Për çfarë ky takim kaq urgjent?

Nuk ka më asnjë dilemë. Do të ishte një takim për kompromisin e radhës në dëm të Republikës së Kosovës dhe sovranitetit të saj.

Jo vetëm se kjo është një ftesë për kompromis, por edhe për ta stabilizuar Vuçiqin në postin e tij që po i lëkundet nga protestat e brendshme dhe shkrimet e rënda në mediat amerikane.

Sot, në vend se Vuçiqi të merret me pasojat e protestave të brendshme në Serbi apo me pasojat e shkrimeve të New York Times-it, Kurti po i ndihmon atij të dalë nga kjo situatë.