Sporti

Berlusconi dhe historia me flokët e El Shaarawy, ja si e kujton sulmuesi ish-presidentin e Milanit

06/13/2023 20:09
nga:L J

Dita e hënë nuk ishte e zakonshme për Italinë, në të gjithë aspektet e vendit fqinj me Shqipërinë. Kjo sepse u nda nga jeta një personazh mjaft popullor si Silvio Berlusconi, ish-kryeministër i Italisë si dhe ish-president i klubit të futbollit të Milanit.

Me kuqezinjtë ai zhvilloi një histori të madhe dashurie duke i shndërruar në një nga klubet më fitues dhe më të famshëm në mbarë botën. Këto ditë kanë qenë të shumta mesazhet për Berlusconin, ku secili personazh që e kishte takuar për të paktën një herë në jetë ish-presidentin, kishte një histori për të treguar rreth tij.

Rasti i fundit ka të bëjë me Stephan El Shaarawyn, në periudhën kur sulmuesi ishte pjesë e Milanit të Berlusconit. Nëpërmjet rrjeteve sociale El Shaarawy që tashmë aktivizohet me Romën, zbulon se nuk kishte ditë që Berlusconi nuk i thoshte të priste flokët dhe të mos e mbante më “kreshtën” e famshme.

“Kjo “kreshta” ime, nuk më kujtohet se sa herë Berlusconi më ka kërkuar që t’i pres flokët. Megjithatë, ndryshonte mendim pas çdo goli që unë shënoja dhe më thoshte që ta rrisja edhe më shumë “kreshtën” time. Udhëtim të mbarë president”, shkruan sulmuesi në rrjetet sociale./ss