Fituesi i titullit të kampionit mes FC Prishtina 01 dhe FC Liqenit do të vendoset në ndeshjen e tretë që zhvillohet sonte në kryeqytet, pasi që seria është e barabartë në 1-1.
Të dy skuadrat kanë siguruar nga një fitore dhe sonte me fillim nga ora 20:00, do të zhvillohet ndeshja vendimtare në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
Zyrtari i skuadrës së Prishtina 01, Oso Gjinovci tha për ‘GazetaBlic Sport’ se ekipi ka mentatlitet fitues dhe se janë gati të japin më të mirën e tyre.
“FC Prishtina 01 ka mentalitet fitues, respekton çdo kundërshtar, por jep më të mirën në parket, ku sonte duhet të tregojmë se kush jemi në të vërtetë. Sonte vendoset gjithçka, sonte tregohet disiplina dhe përkushtimi i lojtarëve që derdhen djersë çdo natë për të arritur këtë finale dhe për të prekur Champions League. Në të njëjtën kohë ju falënderojmë të gjithëve për përkrahjen e klubit FC Prishtina 01. Le të fitojë sporti, le të fitojë më i miri”, tha Gjinovci.

Kujtojmë që Oso ka luajtur për vite të tëra në futsallin tonë, duke qenë një nga emrat më të njohur të këtij sporti.
/GazetaBlic Sport/


