Sporti

Lautaro pas finales: Meritonim më shumë, tifozët duhet të jenë krenarë me grupin tonë

06/11/2023 13:05
nga:E K

Manchester City arriti dje fitoren e madhe ndaj Interit duke triumfuar në finalen e Champions League me rezultat 1-0.

Realizatori i golit të vetëm të finales ishte Rodri që me një goditje të fuqishme arriti ta mposht portierin, Onana, shkruan GazetaBlic Sport.

Pas ndeshjes lojtari i Inter, Lautaro Martinez foli për media.

“Që kur kam qenë në Inter, kam humbur një Europa League dhe pas atij momenti mbërritën trofetë që kishin munguar për një kohë të gjatë. Në këtë klub, sot arritëm në finalen e Champions League pas një grupi të vështirë, më pas eliminuam Porto, Benfica, Milan dhe sot luajtëm kundër Manchester City, skuadrës më të fortë.

Ne meritonim më shumë. Por me siguri siç them gjithmonë në këto gara gjërat e vogla bëjnë diferencën dhe ndoshta na ka munguar diçka për ta sjellë në shtëpi, por unë jam shumë krenar për të gjitha këto. Njerëzit duhet të jenë të qetë, ka zhgënjim, por duhet të krenohen me këtë grup, me këtë staf dhe me gjithë njerëzit që punojnë çdo ditë për ne”.

/GazetaBlic Sport/