Në konferencë për media pas fitores së Cityt në finalen e Champions League ndaj Inter, Pep Guardiola pati fjalët më të mëdha për lojtarët e tij.
“Është një lehtësim i madh për ne që e kemi këtë trofe. Por ka skuadra që fitojnë dhe më pas zhduken dhe ne duhet ta shmangim këtë”, theksoi trajneri katalanas, duke vijuar: “14 vjet më vonë fitova sërish ‘tripletën’, por është shumë e vështirë të sulmosh Interin dhe prandaj u jap atyre shumë merita dhe gjithashtu u jap shumë kredi lojtarëve të mi për fitoren”, përcjell GazetaBlic Sport.
Për Guardiolën “është nder të jem në krah të Sir Alex Ferguson”, i vetmi që e kishte arritur këtë sukses për një klub anglez, duke theksuar: “Ai më dërgoi një mesazh këtë mëngjes”. Por kishte edhe një adresues tjetër të veçantë: “E dija që Roberto Baggio ishte këtu. Ai ishte në Wembley në vitin 2011 dhe ishte shumë me fat për mua, por nuk bëj asnjë lloj komenti, gjykimet ua lë juve [gazetarëve]”.
Duke parë festën në Manchester, Guardiola rrëfeu: “Mezi pres të hipi në autobus me tre trofetë”.
Për ndeshjen, trajneri vlerësoi: “Duhej të luftonim shumë për të gjetur hapësira për lojtarët tanë gjatë pjesës së parë. Në të dytën shënuam një gol të shkëlqyer, por në minutat e fundit ata ishin më të mirë dhe ne duhej të pranonim. Ne kemi një portier të jashtëzakonshëm dhe ai bëri pritjet që duheshin. Arritëm të fitonim në Evropë, me vuajtje, por kjo është normale. Ndonjëherë duhet pak nga ai fat që nuk e kemi pasur në të kaluarën. Do të analizoj dhe kuptoj se çfarë bëmë në këtë lojë brenda pak ditësh.”


