Lajme

Drafti i Ramës, Lladrovci: Vullnet i tij për të ofruar zgjidhje, ai ka më shumë informacione se Kosova dhe i sheh rreziqet

06/08/2023 21:24
nga:G B

Reagime të shumta ka ngjallur sot lajmi që tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se u ka dërguar Gjermanisë dhe Francës, propozim të draft statutit të Asociacionit në Kosovë.

Ai u shpreh se këtë e ka bërë duke e ditur se Kosova dhe Serbia do të vinin në këtë pikë që s’do të merreshin vesh.

Lidhur me këtë draft statut të propozuar nga Rama, ish ambasadori i Kosovës në Shqipëri, njëherësh kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se propozimi i Ramës buron nga një vullnet për të dalë nga situatë në të cilën ndodhet Kosova.

“Unë propozimet e Shqipërisë, sipas traditës i shoh si pozitive, pavarësisht ndonjë përvoje jo aq të mirë të mëhershme. Mendoj se propozimi që ka ofruar Rama megjithëse nuk e kam parë, buron nga një vullnet për të dalë nga situata në të cilën ndodhet Kosova, në ngushticën e kohës për të ofruar zgjidhje. Perceptimi i kohës është faktor i rëndësishëm dhe mendoj se duhet të jetë propozim që i jep drejtim çështjes së ndjeshme të veriut të vendit”, thotë ai.

Sipas Lladrovcit, Rama ndjehet i trazuar në të cilën është Kosova dhe se propozimi i tij mund të jetë me vlerë, teksa thotë se derisa qeveritë shqiptare mbajnë mbledhje, pse dy kryeministrat nuk harmonizohen për veriun e Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë sigurisht ndjehet i trazuar nga situata aktuale në Kosovë dhe është e pritshme që ofron propozim, të cilin për fat të keq po e kritikojnë pa e lexuar fare. Propozimet e turli kalimtari a mendimtari të yshtur nga interesi personal, mund të jetë propozim me vlerë dhe për trajtim e pse jo edhe propozimi i Edi Ramës. Jemi popull i çuditshëm, duhet pyetur përse mbajnë mbledhje dy qeveritë tona, ndërsa dy kryeministrat nuk po harmonizohen për veriun e Kosovës”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Se pse e ka bërë Rama këtë propozim, Lladrovci thekson se ai mund të ketë më shumë informacione se Kosova dhe i sheh rreziqet.

“Besoj fort se z. Rama ka më shumë informacione se Kosova dhe sheh më larg për rreziqet e situatës tonë, prandaj, edhe ka vepruar. Shqipëria është vend i NATO-s, është në Këshillin e Evropës, në OKB, etj. Nuk e di se kush mund të jetë avokat më i mirë se Shqipëria, në bashkëpunim të padiskutueshëm me Amerikën”, deklaron Ramiz Lladrovci./Gazeta Blic/

 

Deputeti i PD-së për draftin e Asociacionit: Provokim, protagonizëm, skandaloze – dy kodet që theu Rama me ndërhyrjen në punët e Kosovës

 

Deputeti i VV-së për Ramën: Po sillet si ndërmjetës pa ia kërkuar askush – draft statutin mund dhe duhet ta bëjë Qeveria