Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën dhë agjencisë së lajmeve, Associated Press, ankua për njëanshmëri ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe tolerancë ndaj regjimit autoritar të Serbisë, përcjellë GazetaBlic.
Kurti tha se kabineti i tij ka mbajtur qëndrim tjetër. “Ne këmbëngulim që sjelljet e mira ndaj një autokrati nuk e bëjnë atë të sillet më mirë. Përkundrazi”, tha ai.
Sipas Kurtit, të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, përkatësisht Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, “po vijnë tek ne me kërkesa të palës tjetër”.
Kurti këmbënguli se forcat speciale të policisë nuk mund të “zvogëlohen” derisa bandat kriminale serbe ose të mos largohen nga vendi ose të arrestohen. Ai tha se do të kishte paqe në Kosovë nëse nuk do të kishte “urdhra për dhunë nga Beogradi”.
“Fuqitë perëndimore nuk duhet të kënaqin Beogradin, problemin rrënjësor të dhunës në Ballkanin Perëndimor, tha Kurti”.
Ai më tutje u ankua se edhe për zgjedhjet e parakohshme të prillit në katër komunat veriore me shumicë serbe, “ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, lehtësuesit evropianë na dështuan”.
Ai tha se ata i kërkuan Kosovës që të bënte ndryshime zgjedhore, por nuk ushtronin presion mbi partinë e vetme politike të serbëve etnikë për të marrë pjesë në zgjedhje.
Kurti tha se do t’i duhej ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur pluralizmin politik në pakicën etnike serbe “për një konkurrencë të ndershme, për një garë demokratike për kryetarët e rinj të bashkive”.
“Ne nuk mund të përballojmë një proces tjetër ku kandidatët serbë e bojkotojnë atë disa ditë para fillimit të zgjedhjeve, sepse kështu urdhëron Beogradi,” tha ai.


