Deputeti i Parlamentit të Shqipërisë nga radhët e Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka folur për Gazeta Blic për propozimin e kryeministrit Edi Rama për draft statutin e Asociacionit për Kosovën.
Ai thotë se bashkë me shumë të tjerë në Tiranë janë çuditur me lajmin, teksa thekson se është totalisht joserioze shfaqja surprizë e këtij lajmi dhe se askush nuk ka dijeni për përmbajtjen e këtij drafti, as në Kosovë e as në Shqipëri.
“Edhe unë besoj, si shumë të tjerë këtu në Tiranë, kemi ngelur të çuditur nga lajmi i dalë mbi një draft Asociacionin të cilin duket se kryeministri i Shqipërisë ka dërguar kancelarive në lidhje me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. E para, më duket një mënyrë totalisht joserioze shfaqja surprizë e gjithë idesë nuk kam asnjë lloj dijenie për përmbajtjen, ngaqë pyeta edhe kolegë të tjerë të Parlamentit të Shqipërisë, edhe nga mazhoranca dhe komisioni i politikës së jashtme i Parlamentit të Shqipërisë, janë në padijeni të plotë i kësaj ideje dhe drafti dhe mendoj se kjo është thellësisht joserioze. E dyta, nga të gjitha informacionet jam përpjekur të mbledh nga Kosova me kolegë, diplomatë në Kosovë, deputetë. Duket se as në Kosovë nuk asnjë lloj informacioni për përmbajtjen e këtij drafti. Nuk di ende nëse ka pasur konsultime me qeverinë e Kosovës, kryeministrin Kurti”, shprehet ai.
Çollaku e sheh si aventureske dhe provokim të panevojshëm këtë propozim, që thotë se i ngjan nevojës së Ramës për protagonizëm, përmes së cilës ai ka thyer dy kode.
“E shikoj si aventureske dhe si një lloj provokimi të panevojshëm sepse mendoj se me këtë propozim, që i ngjan më shumë një nevoje gati maniakale për protagonizëm, kryeministri Rama thyen dy kode dhe kryen dy ndërhyrje aspak etike në dëm të Kosovës”, potencon deputeti i PD-së.
Sipas tij, Rama theu kodin e sjelljes së Shqipërisë, duke ndërhyrë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pa iu kërkuar dhe në të cilin nuk mund të jetë palë e tretë.
“E para, ndërhyn në një proces pa qenë një akter ndërkombëtar, duke thyer një kod sjellje të Republikës së Shqipërisë, ndërhyn në një proces të dialogut mes Serbisë e Kosovës, ku nuk i kërkohet Shqipërisë dhe as kryeministrit të saj, që të jetë pjesë e tij, sepse në çdo rast, mes Kosovës dhe Serbisë unë mendoj se Republika e Shqipërisë nuk mund të jetë palë e tretë. Shqipëria në çdo rast duhet të jetë palë dhe në krah të Kosovës. Shfaqja e Edi Ramës si një palë e tretë ngjan një lloj braktisje e Kosovës dhe mesa duket ka në bazë përveç manisë aventureske për protagonizëm, asgjë më tepër”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Ndërsa, kodi i dytë sipas Çollakut, është ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës, teksa thotë se është skandaloze që Rama për përmbajtjen e draftit ka biseduar vetëm me një deputet të PDK-së dhe jo me institucionet e Kosovës.
“E dyta, thyen një kod të dytë, një ndërhyrje flagrante të brendshme në politikën e brendshme të Kosovës. Nga informacionet e pakta që ka ende rreth kësaj ngjarje, duket se i vetmi eksponent politik në Kosovë, i cili ka vetëdeklaruar se ka dijeni për përmbajtjen e draftit, është një deputet, një eksponent shumë i respektueshëm dhe nivel i lartë i një partie opozitare në Kosovë. Tani që kryeministri i Shqipërisë përgatit një draft për Kosovën dhe këtë e konsulton vetëm me një pjesë të opozitës, pa vënë në dijeni gjithë klasën politike në Kosovë, apo akoma edhe më skandaloze, pa komunikuar me institucionet e Kosovës, kryeministrin, presidenten, është një ndërhyrje flagrante në punët e Kosovës, një përpjekje për të ndikuar politikisht në zhvillimet e brendshme politike dhe ekuilibrat e brendshëm politik në Kosovë dhe kjo është thyerja e dytë e etikës”, thekson deputeti.
Ai shton se Kosova është në situatë shumë të vështirë me ndërkombëtarët e Serbinë dhe se Rama nuk mund ta ndihmojë atë, atëherë pse duhet t’i prishë punë Kosovës.
“Jam në pritje për të kuptuar se çfarë përmban drafti por sot çfarë mund të kuptoj është se Edi Rama nuk mundet, jo për faj të tij, sot Kosova është në një situatë shumë të vështirë dhe Edi Rama nuk mund ta ndihmojë Kosovën, e ndërsa nuk mund ta ndihmojë, nuk mund ta kuptoj, pse duhet t’i prishë punë Rama Kosovës. Kjo është pikëpyetja e madhe që kam dhe le të presim me durim derisa të kuptojmë se çfarë është shkruar në atë ndërhyrje të Ramës, por të gjitha gjasat janë që ka për ta ndërlikuar akoma më keq situatën mjaft të vështirë që Kosova ka me ndërkombëtarët, me Serbinë e tani shtohet edhe Edi Rama, si një shtojcë e halleve të mëdha që ka Kosova”, thotë ai.
Çollaku kërkon falje ndaj Kosovës që nga Shqipëria po u vijnë halle dhe jo mbështetje në këto kohë të vështira.
“Jam realisht i surprizuar negativisht për këtë zhvillim dhe gati gati për aq sa mundem do të duhej t’i kërkoja ndjesë gjithë klasës politike në Kosovë dhe Kosovës, që nga Shqipëria u vijnë veç halle, në të kundërtën do të duhej t’u vinte mbështetje në këto ditë të vështira”, deklaron deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku./Gazeta Blic/
Edi Rama i propozon një draft statut të Asociacionit Macronit e Scholz


