Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ligji për zgjedhjet i miratuar sot në Kuvend, e avancon aspektin zgjedhor në tri aspekte, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i gjithë procesi zgjedhor është më i sigurt, procesi zgjedhor është më i lehtë dhe më efikas dhe zbaton standarde evropiane të transparencës.
Postimi i tij i plotë:
Ligji për zgjedhjet, që sapo u miratua, e avancon procesin zgjedhor në tri aspekte:
I gjithë procesi zgjedhor është më i sigurt, duke filluar nga faza e përgatitjes së listës zgjedhore, përgatitjes dhe shpërndarjes së materialit zgjedhor, organizimit të vendvotimeve, identifikimin e votuesve fizikisht dhe ata me postë, e deri tek numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve.
E bën procesin zgjedhor më të lehtë dhe më efikas, që nënkupton më pak kohë dhe më pak shpenzime për çdo fazë të procesit zgjedhor.
Zbaton standardet evropiane të transparencës, barazisë në proces, rregullon më mirë fushatën zgjedhore dhe funksionimin e mediave gjatë fushatës, përfshirë mediat sociale.


