Lajme

Rasmussen: Disa anëtarë të NATO-s mund të dërgojnë vullnetarisht ushtarë në Ukrainë

06/08/2023 16:11
nga:Astrit Gashi

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, deklaroi se disa anëtarë të Aleancës mund të dërgojnë vullnetarisht ushtarë në Ukrainë.

Rasmussen, i cili tani është këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ka punuar me paraardhësin e tij Petro Poroshenko, tha se Kievit duhet t’i jepen garanci me shkrim përpara se liderët e NATO-s të takohen muajin e ardhshëm, duke përfshirë ndarjen e inteligjencës me Perëndimin, transferimin e armëve dhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake.

“Nëse NATO nuk mund të bie dakord për një udhërrëfyes konkret për Ukrainën, ekziston një mundësi e qartë që disa vende të ndërmarrin veprime individualisht”, tha ai, shkruan GazetaBlic.

Sipas Rasmussen, Polonia mund të jetë një nga ato vende.

“Unë mendoj se polakët do të konsideronin seriozisht hyrjen në vend dhe formimin e një koalicioni vullnetarësh nëse Ukraina nuk merr asgjë në Vilnius,” tha ai.

Rasmussen, pas një udhëtimi në Evropë dhe SHBA, gjatë të cilit u përpoq të forconte mbështetjen ushtarake për Ukrainën, pohoi se vendosja e trupave të huaja në Ukrainë do të ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare nëse Kievi do e kërkonte.

Sekretari aktual i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi së fundmi se në Vilnius do të shqyrtohet një shkallë e caktuar e garancive të sigurisë për Ukrainën, por ai theksoi se garanci të plota mund t’u ofrohen vetëm anëtarëve të Aleancës.

Blloku fillimisht premtoi t’i jepte Ukrainës anëtarësimin në vitin 2008 dhe Kievi aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar shtatorin e kaluar, megjithëse çështja e anëtarësimit të Ukrainës nuk ka përparuar ndjeshëm që atëherë.

Disa anëtarë të NATO-s janë bërë mbështetës të flaktë të anëtarësimit të Ukrainës në bllok dhe po u bëjnë thirrje vendeve të tjera perëndimore që të përcaktojnë një rrugë të qartë për Kievin drejt anëtarësimit.

Edhe pse Uashingtoni ka konfirmuar vazhdimisht se Ukraina një ditë do t’i bashkohet Aleancës, SHBA po i kushton më shumë vëmendje konfliktit aktual me Rusinë, duke shpresuar të zgjidhë çështjen e anëtarësimit të Kievit më vonë.

Megjithatë, ambasadorja e SHBA në NATO, Julian Smith tha se zyrtarët tani “po shqyrtojnë një sërë opsionesh për të sinjalizuar përparimin e Ukrainës në marrëdhëniet me NATO-n”, megjithëse ajo nuk specifikoi se çfarë mund të sjellë kjo.

Rusia, nga ana tjetër, ka theksuar vazhdimisht se zgjerimi lindor i NATO-s kërcënon sigurinë e saj, ndërsa përpjekjet për të armatosur Ukrainën edhe para përshkallëzimit të konfliktit u përmendën si një nga arsyet për nisjen e një operacioni special ushtarak në shkurt 2022. Moska gjithashtu deklaroi se neutraliteti ushtarak i Ukrainës është një kusht kyç për paqen e qëndrueshme.