Sporti

Drejtuesit e Golden Eagle Yllit fillojnë organizimin për edicionin tjetër, po punohet për disa ‘goditje’ të mëdha

06/07/2023 16:16
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Golden Eagle Yllit prej vitesh është njëra ndër skuadrat më të mira në basketbollin kosovar.

Të drejtuar nga tashmë trajneri i Trepçës, Adis Beciragic, suharekasit e fituan titullin kampion dy herë radhazi, duke shkëlqyer në parketet kosovare.

Largimi i trajnerit Beciargic nuk ka ndikuar aspak tek objektivat e mëdha që kanë drejtuesit dhe plani i tyre, me drejtuesit që do të angazhohen nga fundi i kësaj jave për ta gjetur pasuesin e tij.

‘GazetaBlic Sport’ mëson se janë disa emra që po shqyrtohen nga drejtuesit për rolin e trajnerit, kurse po punohet fuqsishëm edhe për transferimin e një basketbollisti shumë të njohur vendor.

Megjithatë, fokusi i klubit do të jetë edhe tek basketbollistët e huaj, atje ku pritet që të ketë së paku tre transferime të tilla.

Zyrtarizime mund të ketë tek kjo skuadër që nga java e ardhshme, duke punuar që edhe vitin tjetër të jetë një ‘arrë’ e fortë për gjitha skuadrat e tjera.

/GazetaBlic Sport/