Publicisti Veton Surroi, i cili njëkohësisht është edhe konsulent i jashtëm i Qeverisë së Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, tha se duke folur vetëm në emrin e tij personal, deklarimet e fundit të emisarit amerikan, Gabriel Escobar, se brenda dy ditësh duhet gjetur zgjidhje për situatën në veri, duhet lexuar si një porosi serioze dhe më shumë si një kërkesë sesa një ultimatum.
Ai tha se kjo kërkesë është që të jepet përgjigje në disa pyetje konkrete dhe se përgjigjet nuk janë larg tyre.
Ai tha se në asnjërën prej këtyre pyetjeve nuk ka refuzim sikurse në kërkesën për shtendosje të situatës e ku Kosova është e interesuar për këtë apo atë se duhet të ketë zgjedhje, natyrisht se duhet të ketë zgjedhje.
“Çështja është se si të gjitha këto të futen në paketë e cila është nga njëra anë e aplikueshme e nga ana tjetër të krijojë rezultatin duhur, pra zgjedhje jo vetëm për sy e faqe por zgjedhje që të prodhojë një pushtet legjitim”, tha Surroi.
Sipas tij, kur thuhet e duhet rifilluar procesi negociator, është Kosova gjithmonë e para që ka kërkuar të fillojë e rifillojë me seriozitet e të zbatohen marrëveshjet që kryeministri Kurti ka ofruar dy herë që t’i nënshkruajë.
Surroi tha se porositë janë dhënë dhe ato tregojnë disponimin dhe një lloj ndjeshmërie të veçantë negative, por thotë se duhet përqendruar tek thelbi i porosive.
“E kjo është dalja nga një proces i menaxhimit të krizave në një proces negociator serioz”, tha Surroi në RTK.
Publicisti Surroi rikujtoi se krizën nuk e shkaktoi Kosova. “Kriza u paralajmërua që në fillim në nëntor të vitit të kaluar kur u tërhoqën policët dhe zyrtarë komunalë nga komunat në veri”, u shpreh ai, duke shtuar se zgjedhjet nuk i deshën partitë politike shqiptare.
“Nuk është se PDK, LVV apo ndonjë parti tjetër besonte se do të administrojnë me Zveçan apo ndonjë komunë tjetër. Ishte nevoja për të përmbushur një zbrazëti ligjore”, tha Surroi, sipas të cilit, deri më tash ka pasur menaxhim të krizës nga ana e Kosovës e krijuar artificialisht nga ana e Listës Serbe me direktivë nga Beogradi.


