Prapa tensioneve në veri të Kosovës, sipas kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, qëndron çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Molliqaj, tha se kryeministri “Kurti sillet rreth Asociacionit. Asociacioni është qendra dhe thelbi i tij”.
“Kjo është analiza e jonë, jo informatë prej ndokujt. Edhe kësaj here kështu ndodhi, e zbuloi Escobar. Drafti paska qenë qysh moti në tavolinën e Kurtit. Escobar tregoi se Kurti e paska, por nuk po e publikon draft-statutin. Publiku pra, kjo është çështje. Si t’ia bëjmë një veshje heroike fundit të një procesi që e vulos zvetënimin e krejt çfarë ishte dhe përfaqësonte?”, ka thënë ai.
Sipas Molliqaj, Asociacioni që e ka në dorë Kurti, përmban autonomi.
“Kompetencat e autonomisë shkruhen në statut, kostoja politike imunizohet me polici. Asociacionit kompetencat e forta, kryeministrit figurën e fortë të policit. Të gjithë janë të kënaqur”, ka thënë ai.
Në fund, Molliqaj ritheksoi se çështja kryesore e të gjithë veprimeve në veri është Asociacioni.
“Procesi i dialogut po shkon drejt fundit. Jemi përpara tërheqjes së madhe. Nuk po flasim për policinë, as për objektet ku do të punojnë kryetarët. Asociacioni është çështja”, ka shkruar ai në Facebook.


