Lajme

Ka filluar takimi i Vuçiqit me Escobarin dhe Lajçakun

06/06/2023 18:58
nga:Astrit Gashi

Takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak, për situatën në Kosovë ka filluar tashmë në Beograd.

Në takim do të marrin pjesë shefi i delegacionit të BE-së në Beograd, Emanuele Giofre, si dhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Escobar dhe Lajçak mbërritën në Beograd pas vizitës në Prishtinë, ku biseduan me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, opozitën shqiptare, si dhe përfaqësues të Listës Serbe dhe organizatave joqeveritare serbe.

Takimi mes Escobarit dhe Lajçakut me Kurtin përfundoi pa rezultate konkrete dhe të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së i përcollën kryeministrit të Kosovës tri kërkesa për qetësimin e situatës në veri – deeskalim në terren, mbajtje sa më të shpejtë të zgjedhjeve në dhe një kthim te dialogu dhe procesi i normalizimit.

Escobar tha nga Prishtina se Kurti ka dy ditë kohë për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave dhe paralajmëroi se nëse kryeministri i Kosovës nuk e bën këtë, pasojat për Kosovën do të jenë afatgjata. Ai po ashtu ka deklaruar se Kurti e ka draft Statutin e Asociacionit, por po e fsheh, dhe theksoi se Asociacioni do të formohet me këtë apo një kryeministër tjetër.