Lajme

Senatori Murphy: Jam mik i mirë i Kosovës, de-eskaloni situatën në veri ose e humbni mbështetjen e Kongresit

06/02/2023 10:31
nga:Astrit Gashi

Senatori Amerikan, Chris Murphy, ka bërë të ditur se kanë biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në lidhje me situatën në veri.

Ai ka kërkuar nga Kurti, ta de-eskalojë situatën e tensionuar, në të kundërt sipas tij Kosova rrezikon mundësinë e humbjes së mbështetjes së Kongresit amerikan.

“Unë dhe senatori Ricketts unë folëm në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Unë jam një mik i mirë i Kosovës, por ritheksova bindjen time se Kosova duhet ta de-eskalojë situatën në veri të Kosovës ose të rrezikojë mundësinë e humbjes së mbështetjes së Kongresit”, ka shkruar Murphy në rrjetin twitter.

Kosova së fundmi është duke pasur presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë, madje edhe është përjashtuar nga stërvitja “Defender 23”, si shkak i dërgimit të njësisë speciale në veri.

Ashpër ndaj këtij aksioni kanë reaguar fuqitë e mëdha ndërkombëtare, si ShBA, Britania, Franca e Gjermania.

Të enjten, Bashkimi Evropian, ka kërkuar që menjëherë të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut.

Shenja pozitive për këtë hap kanë dhënë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.