Sporti

Bozkurt: Rashica është një futbollist i madh dhe i kompletuar

06/02/2023 08:57
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Galatasaray e ka fituar titullin kampion në Superligën e Turqisë.

Sulmuesi kosovar, Milot Rashica ishte njëri ndër futbollistët më të rëndësishëm tek kjo skuadër, si me golat, asistimet, por edhe me lojën e tij të përshtatshme në aspektin kolektiv.

Në fakt, fillimi i sezonit për Rashicën nuk ishte më i miri i mundshëm, por me kalimin e kohës, ai e ‘kapi’ formën e duhur dhe shkëlqeu me fanellën e skuadrës nga Stambolli.

Analisti i njohur i futbollit turk, Erdal Bozkurt tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Milot Rashica është një futbollist i madh dhe se luajti një rol të rëndësishëm që klubi të bëhet kampion.

“Milot Rashica është një futbollist i madh. Ai luajti një rol të madh në fitimin e titullit të Galatasaray këtë sezon. Mbështetja mbrojtëse e një anësori është e rëndësishme, jo vetëm sulmuese. Rashica luajti në 35 ndeshje për Galatasaray këtë sezon. Ai shënoi 6 gola dhe bëri 8 asistime, por u shqua shumë edhe për aktivitetin e tij në aspektin defanziv”, tha fillimisht ai.

“Natyrisht, më e rëndësishmja, përputhshmëria e tij me Icardin është shumë e mirë. Duke përdorur aktivisht krahun e djathtë, Rashica i dha pasime të shkëlqyera Icardit këtë sezon dhe hapi krosime të shkëlqyera. Ai u bë një futbollist që zbriste vazhdimisht në vijë dhe detyronte kundërshtarin. Rashica kontribuoi shumë që Galatasaray të bëhej kampion“, vazhdoi ai.

Më pas, ai foli edhe për të ardhmen e sulmuesit kosovar, ku tha se pritet të jetë përsëri tek Galatasaray, me Fenerbahcen që poashtu ka interesim.

“Rashica dëshiron të qëndrojë në Turqi. Norwich City ka të ngjarë të shesë ose huazojë Rashicën pasi nuk janë promovuar në Premier League këtë sezon. Drejtuesit e Galatasaray-t vazhdojnë të takohen me Norwich City për Milot Rashicën. Norwich po kërkon një transferim prej 10 milionë eurosh në Galatasaray për Rashicën. Nga ana tjetër, Galatasaray dëshiron ta përfundojë këtë transferim rreth 6-7 milionë euro. Interesimi i Fenerbahçes për Rashicën është i saktë. Por futbollisti dëshiron të veshë fanellën e Galatasarayt në Turqi. Për këtë transferim mund të flasim më qartë në qershor. Aktualisht vazhdojnë negociatat e transferimit mes Galatasarayt dhe Norwich City“, përfundoi Bozkurt.

/GazetaBlic Sport/