Është dita e katërt prej kur serbët e veriut kanë zgjedhur të protestojnë në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës.
Përgjatë këtyre ditëve, protestat u përshkallëzuan duke cuar në plagosjen e pjestarëve të KFOR-it, sulme ndaj gazetarëve e medieve e policëve.Lidhur me zhvillimet në këtë pjesë të Kosovës, ka folur për Front Online, Burim Ramadani, që dikur ishte kryeinspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ai tha se javët e ardhshme do të jenë të gjata për Kosovën.“Besoj se javët e ardhshme do të jenë vërtet të gjata për Kosovën”.
Ramadani në një përgjigje për Front Online thotë se Kosova çdo veprim duhet ta koordinoj me NATO-n.
“Kosova, institucionet e saj duhet të jenë më të sinkronizuara në planifikimin e veprimeve dhe jo vetëm në realizimin e tyre me partnerët ndërkombëtarë. Me NATO-n më konkretisht, në mënyrë që Kosova të jetë jo vetëm pala konstruktive, por se Kosova duhet ta shohë veten në çdo veprim, në lidhje të përbashkët me NATO-n”.
Ish-kryeinspektori i inteligjencës kosovare ka thënë se Vuçiqi po vepron njëjtë si Millosheviqi në vitet e 90-ta.Ai thotë se narrativa e rreme e Serbisë për Kosovën deri diku e mobilizon shoqërinë atje.“Vuçiq, edhe për arsye të brendshme, në të njëjtën formë sikurse ka bërë Milosheviqi gjatë viteve ’90, sa herë që ka pasur kriza për pushtetin e tij, është gjuajtur kah Kosova.
Dhe normalisht që tregimi, narrativa e rreme e Serbisë për Kosovën deri diku e mobilizon shoqërinë atje. Partitë opozitare, Shoqëria civile dhe mediat, ato pakqë kanë mbetur, do të shiheshin si tradhtare të shtetit nëse ato do të fokusoheshin edhe më tutje në rrëzimin e regjimit autoritar të Vuçiq”, u shpreh Ramadani.
Në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, të gjithë shqiptarë, u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.