Sporti

Ka shkëlqyer edhe në këtë edicion, Fetahaj flet para ndeshjes më të rëndësishme ndaj Ferizajt

06/02/2023 09:00
nga:Mergim Rreci

Njëri ndër sulmuesit më të mirë në futbollin kosovar, Liridon Fetahaj është gati për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit për të dhe skuadrën e tij.

Liria dhe Ferizaj do të përballen në ndeshjen e barazhit, të dielën me fillim nga ora 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Fetahaj ka qenë fantastik gjatë këtij edicioni, duke shkëlqyer me golat dhe lojën e tij, paraqitje këto që kanë ndihmuar skuadrën të jetë vetëm një ndeshje larg inkuadrimit në nivelin elitar të futbollit kosovar.

Para ndeshjes vendimtare, në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, Fetahaj tha se ndeshja ndaj Ferizajt do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por është optimist tek një rezultat pozitiv.

“Besoj që do të jemi pjesë e Superligës së Kosovës, por për të kaluar aty, së pari duhet të fitojmë ndeshjen e së dielës, ndeshje kjo shumë e vështirë. Ferizaj është një skuadër e Superligës, një skuadër shumë kualitative, por besoj që më përkrahjen e klubit dhe ‘Arpagjikëve’ do ta arrijmë objektivin tonë”, tha fillimisht ‘Arpagjiku’.

Tutje, Fetahaj tha se do të tentojnë ta shfrytëzojnë formën e mirë që kanë si skuadër, me presionin që sipas tij është tek kundërshtari.

“Ne do të mundohemi në maksimum ta shfrytëzojmë formën e mirë që kemi dhe ta mposhtim skuadrën e Ferizajt. Ne nuk kemi çfarë të humbim, presioni ndoshta është pak më shumë tek kundërshtari. Do të mundohemi t’i shpërblejmë tifozët tanë, të cilët na kanë mbështetur gjatë gjithë kohës. Shpresojmë që së bashku ta festojmë ngjitjen në Superligë”, përfundoi Fetahaj.

/GazetaBlic Sport/