Lajme

Vuçiq: Situata është shumë e komplikuar, SHBA nuk po ndryshon kursin ndaj Kosovës

06/01/2023 10:08
nga:Astrit Gashi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po merr pjesë sot në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili po mbahet në kryeqytetin moldav, Kishinau, deklaroi se takimet e tij të parapara me Presidentin e Francës, Emanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, nuk do të jenë aspak të lehta, shkruan GazetaBlic.

“Nuk do të ketë takime të lehta, është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë stabilitetin. Kam folur sot në mëngjes me njerëzit nga veriu i Kosovës dhe i kam lutur për vendosmëri në qëndrimet e tyre, por që këtë ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që disa njerëz të kuptojnë se 3.4 për qind nuk janë zgjedhje legjitime dhe të mos ngacmojnë popullin tonë. Do të bëj një bisedë me Macron dhe Scholz dhe do të përpiqem t’i kthej gjërat në normalitet, por duhen dy për tango”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse SHBA po ndryshon kursin e saj ndaj Kosovës, Vuçiq thotë:

“SHBA-ja nuk po ndryshon kursin, thjesht është e qartë se kush është fajtori për një situatë, por strategjikisht asgjë në veçanti në lidhje me Kosovën dhe situatën në rajon nuk do të ndryshojë. Por ajo që është e rëndësishme është që ata të na dëgjojnë. Kjo është hera e parë që diçka vërtetë nxiti dënim nga amerikanët, shpresoj të jetë e njëjta gjë edhe me evropianët. Situata është shumë e ndërlikuar”, tha Vuçiq.