Sporti

Kapiteni Gjeraj: Është momenti që të kthehemi në Superligë, kemi mbështetje të madhe nga tifozët “Arpagjikët”

06/01/2023 18:10
nga:Mergim Rreci

Njëri ndër futbollistët më të mirë në historinë e futbollit kosovar, Robert Gjeraj është gati për një tjetër ndeshje të madhe e shumë të rëndësishme në karrierën e tij.

Kapiteni Gjeraj dhe skuadra e tij do të luajnë ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Ferizajt, ndeshje e barazhit që përcakton skuadrën që do të luajë në Superligë edicionin e ardhshëm.

Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, Gjeraj u deklarua shumë i motivuar për këtë takim, ku tha se janë shumë të përgatitur për këtë ndeshje barazhi, pavarësisht që do të jetë një ndeshje e vështirë.

“Mendoj se jemi përgatitur shumë mirë për këto ndeshje barazhi. Ndeshjen e parë kundër Ulpianës e kaluam me shumë sukses, ndërsa për ndeshjen e radhës jemi edhe më të përgatitur, kjo për faktin se prej kohësh e kemi kuptuar që do të luajmë në këtë nivel, kemi mësuar edhe nga humbja që kishim ndaj Vushtrrisë në edicionin e kaluar. Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse edhe Ferizaj është një ekip i mirë, por është një finale për të dyja palët”, tha fillimisht ai.

Më pas, Gjeraj tha se skuadra e meriton promovimin në Superligën e Kosovës, kjo edhe për mbështetjën e madhe të tifozëve dhe organizimit brenda klubit.

“Besoj se është momenti për t’u rikthyer në Superligë, jo për shkak të emrit, por për shkak të organizimit shumë të mirë që e kemi. Nuk mund të harrojmë asesi mbështetjën e madhe të ‘Arpagjikëve’ që na kanë dhënë dhe vazhdojnë të na japin, atje ku në këtë ndeshje pritet të jenë rreth 20 autobusë në përkrahje të skuadrës në Podujevë”, vazhdoi ai.

Kapiteni prizrenas tha se nuk sheh dallime në cilësi mes dy skuadrave, madje sipas tij, Liria e ka dëshmuar forcën e saj në përballjet direkte me skudrat nga Superliga, si tek rasti kur e eliminuan Dritën nga Kupa e Kosovës.

“Sa i përket cilësisë, mendoj që do të jemi të barabartë në fushë. Ne e kemi vërtetuar në ndeshjen e Kupës ndaj Dritës, atje ku e kemi eliminuar njërin nga pretendentët kryesor për ta fituar trofeun. Të dy skuadrat jemi ekipe të mira. E kam deklaruar edhe më herët që formati i Ligës së Parë është shumë i vështirë për ne, sepse duhet të luajmë dy ndeshje barazhi, por ne të parin e kemi kaluar më lehtë se sa që kemi menduar dhe tashmë i gjithë fokusi është tek ndeshja tjetër. Dëshira ime e madhe është që Liria të jetë në Superligën e Kosovës”, përfundoi Gjeraj.

/GazetaBlic Sport/