Lajme

Eksperti i sigurisë për përjashtimin nga Defender Europe: Ministri Mehaj duhet të japë dorëheqje – mund të ketë sanksione tjera nga SHBA

05/31/2023 15:04
nga:G B

Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, në një deklarim për Gazeta Blic, ka folur për situatën në veri, përjashtimin e Kosovës nga stërvitja ushtarake Defender 2023 dhe zgjidhjen për qetësimin e situatës.

Ai thotë se derisa NATO ka dërguar 700 trupa shtesë në Kosovë, situata mund të eskalojë dhe se këtë po e bëjnë që ta deeskalojnë atë.

Sipas tij, gjendja në veri ndryshon vazhdimisht dhe tashmë ka marrë kontest politik.

“Përveç faktit se tanimë Stoltenbeeg ka dërguar batalionin 700 trupa të ri të KFOR-it në Kosovë për ta mbështetur batalionin e KFOR-it që është duke vepruar dhe operuar këtyre ditëve në veri, kjo tregon se ka potencional për të eskaluar situata dhe kjo kontribuon në deeskalim të situatës për ta kontrolluar dhe futur komplet atë zonë nën administrim nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare. Meqenëse situata në veri është duke ndryshuar nga ora në orë, nuk mund të kemi të dhëna statike se si është gjendja momentale apo si do të jetë gjendja në ditët dhe javët në vazhdim sepse kontestet politike kanë marrë përmasat e tyre, që po reflektojnë në aspektin e sigurisë, duke i cenuar në rend të parë qytetarët të cilët janë duke protestuar, në rend të dytë objektet e kuvendeve komunale dhe në rend të tretë pjesëtarët që janë duke garantuar rend dhe siguri në atë pjesë”, thotë Shala për Gazeta Blic.

Ai tregon se si është gjendja në tri komunat veriore që ai i ka vizituar nga afër ditën e martë, teksa thekson se situata është e koklavitur në Zubin Potok.

“Isha në tri komuna të cilat ishin diskutabile apo potenciai për të eskaluar ishte i lartë, isha në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Çka është për t’u veçuar nga vizita në Zubin Potok, vërehej një koordinim dhe një sistematizim më i mirë i strukturave paralele, në raport për të krijuar një gjendje anomalie që çdo gjë është e qetë dhe është nën kontroll të organeve të sigurisë së Kosovës dhe të KFOR-it, meqenëse prezenca e KFOR-it në Zubin Potok është në numër shumë minimal. Përgjatë rrugës deri atje kemi pasur disa postblloqe të organizuara dhe të formuara nga ana e Policisë së Kosovës, të cilët kanë kontribuar më shumë që rruga magjistrale që shpie në pikën e Bërnjakut të jetë e kalueshme, prandaj mund të themi se situata është e koklavitur në Zubin Potok. Çka është për tu veçuar nga situata në Zveçan ku patëm një shtim më të madh të qytetarëve të cilët protestuan para objektit të komunës së Zveçanit, por njëkohësisht pati një miks të strukturave, atyre kriminale që ishin pjesë përbërë e një akti të mëhershëm të krijuar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it por njëkohësisht patëm edhe përfaqësues shumë më të madh të komitetit serb, përfaqësues të Listës Serbe, të cilët koordinonin strukturat e tyre, për të monitoruar më mirë lëvizjet e faktorit ndërkombëtar por njëkohësisht për t’i monitoruar edhe gazetarët e kameramanët, të cilët janë pengesë në realizimin e planit të Beogradit, përmes informimit të saktë, të drejtë, të cilin janë duke e kryer gazetarët. Ndërsa, në Leposaviq isha vetë pjesë e atij momenti kur u sulmuan gazetarët e kameramanët. Pra kjo e dëshmon faktin se potenciali është i lartë që çështjet të eskalojnë në rast se nuk kemi një zmbrapsje politike që forcat e Policisë të tërhiqen, si kërkesë eksplicite nga SHBA-të”, deklaron njohësi i sigurisë.

Sa i përket përjashtimit të Kosovës nga “Defender Europe”, ai thotë se për këtë do të duhej të dorëhiqej ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Mendoj që në rastin më minimal është dashur të japë dorëheqje ministri i mbrojtjes, Mehaj. Pra ky është një akt i cili deri më tani në historinë e tij operativ luftarak, ushtarak, në kuadër të NATO-s e SHBA-ve, nuk ka ndodhur që të përjashtohet një anëtar i cili merr pjesë. Pra, FSK ishte e planifikuar të merrte pjesë me mbi 1 mijë pjesëtarë të saj. Ky ushtrim do të ekoivalonte njohuritë profesionale me standarde të NATO-s”, vlerëson Shala.

Sipas tij, ky është vetëm reaksioni i parë nga SHBA-të dhe se mund të ketë edhe të tjera, për shkak të mos dëgjueshmërisë nga ana e Kosovës.

“Pra, ky është vetëm reaksioni i parë i mos dëgjueshmërisë ndaj partnerit tonë strategjik, sepse në veri nuk janë duke luftuar grupet kriminale me policinë por është duke luftuar Amerika kundër Rusisë, sepse ka elemente të cilët kanë ardhur nga Rusia për ta destabilizuar vendin dhe aty më nuk ka të bëjë as interesi i Kosovës, as interesi i Serbisë, por aty kemi të bëjmë me interes dhe ofrimin e sigurisë për tërë Evropën. Pra, sanksionet mund të jenë edhe më të rënda në rast se kryeministri nuk do të zmbrapset në orët në vijim, mund të kemi edhe sanksione të tjera sa i përket edhe pajisjeve të cilat i ka dhuruar SHBA, mund të kemi sanksione edhe sa i përket marrëveshjes me gardën e IOWA-s, të gjitha këto janë opsionale”, shton njohësi i sigurisë.

Shala vlerëson se Qeveria duhet t’i thërras mendjes dhe të mos bëjë ndonjë veprim që prishë raportin me SHBA-të.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i thërras mendjes dhe të mos bëjë ndonjë veprim i cili e prishë raportin dhe ekuilibrin dhe bashkërendimin të cilin e ka krijuar Kosova me SHBA-të. Siguria eksplicite e vendit është në duart e SHBA-ve, pasi krijimi i ushtrisë së Kosovës është bërë nga SHBA”, potencon ai./Gazeta Blic/