Lajme

Medvedev: Britania në luftë të pashpallur me Rusinë, zyrtarët britanik shënjestra legjitime ushtarake

05/31/2023 10:41
nga:Astrit Gashi

“Londra po zhvillon në mënyrë efektive një luftë të pashpallur kundër Moskës, që do të thotë se çdo zyrtar britanik mund të konsiderohet një objektiv legjitim ushtarak”.

Kështu deklaroi zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, shkruan GazetaBlic.
Ai i kushtoi vëmendje deklaratës së ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverley, i cili tha se Ukraina ka të drejtë të “projektojë forcën” përtej kufijve të saj.

“Sot, Britania e Madhe vepron si një aleate e Ukrainës, duke i ofruar asaj ndihmë ushtarake në formën e pajisjeve ushtarake dhe ekspertëve. Pra, ajo de facto po bën një luftë të pashpallur kundër Rusisë. Në këtë rast, çdo zyrtar i saj publik (ushtarakët dhe civilët që kontribuojnë në luftë) mund të konsiderohen si shënjestra legjitime ushtarake”, tha Medvedev.

Ai theksoi se Londra ishte dhe mbetet armiku i përjetshëm i Moskës.

“Zyrtarët budallenj të Britanisë së Madhe, armikut tonë të përjetshëm, duhet të kenë parasysh se sipas të drejtës ndërkombëtare të njohur përgjithësisht që rregullon zhvillimin e luftës në kushte moderne, përfshirë Konventat e Hagës dhe Gjenevës me protokollet e tyre shtesë, pozicioni i tyre gjithashtu mund të cilësohet pjesëmarrje në luftë”, ka shkruar Medvedev në Twitter.