Lajme

Deputeti i VV-së i përgjigjet Borrellit për tërheqjen e policëve nga veri: Jemi shtet i pavarur, duhet ta shtrijmë sovranitetin në çdo cep të territorit

05/30/2023 17:35
nga:G B

Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, ka thënë se deklarata e Joseph Borell për tërheqjen e Policisë në veri nuk duhet të merret parasysh.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se Kosova ka institucionet e saj dhe është shtet i pavarur, e është i detyruar ta shtrijë sovranitetin në çdo cep të saj.

“Për mua nuk është deklaratë që më bën shumë përshtypje sepse Kosova është shtet i pavarur, ka president, ka kryeministër, ministra, Kuvend dhe vendos vetë me zyrtarët e saj, me krerët e saj dhe këto deklarata të zyrtarëve të ndryshëm nuk duhet marrë shumë parasysh. Policia e Kosovës e ka për detyrë ta shtrijë sovranitetin në çdo cep të Kosovës, është detyrë e saj dhe sovraniteti do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës”, thotë ai.

Sa i përket qëndrimit të KFOR-it në veri në protestat që po bëhen për të ofruar siguri, ai thotë se duhet bashkëpunuar me ndërkombëtarët, por jo t’i lëshojmë rrugë krimit e bandave në veri.

“Sigurisht që KFOR-i po merr pjesë, por edhe Policia po e kryen punën e vetë, siç e ka kryer në vazhdimësi sipas mandatit, në bashkëpunim me çdo faktor ndërkombëtar, duhet të bashkërendohemi, por jo t’i lëshojmë rrugë krimit dhe bandave në veri. Ne jemi të vendosur dhe qeveria e Kosovës po shihet se është e vendosur ta shtrijë sovranitetin në çdo cep të territorit të Kosovës dhe bandave t’ua tregojë vendin”, deklaron Halil Thaçi./Gazeta Blic/