Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, njëherësh kryetare e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, thotë se çdo kërcënim ndaj Kosovës duhet trajtuar me seriozitet, teksa shton se Presidentja e Kryeministri është dashur ta ftojnë Këshillin e Sigurisë dhe të hartojnë një strategji për situatën.
“Unë nuk dua të merrem me spekulime, por me fakte dhe argumente. Mendoj se çdo kërcënim që vjen nga kushdo ndaj Kosovës, duhet ta trajtojmë me qasje institucionale dhe me seriozitet. Prandaj, Kosova ose institucionet e Kosovës, në këtë rast presidentja, kryeministri është dashur ta ftojnë Këshillin e Sigurisë dhe t’i koordinojnë hapat e ta kenë një strategji të qartë të veprimit, gjithmonë në koordinim me SHBA-të dhe aleatët tanë ndërkombëtarë”, shprehe ajo për Gazeta Blic.
Musliu thotë se është e dhimbshme dhe e rëndë që të shohësh huliganët që bëjnë sulme ndaj KFOR-it dhe gazetarëve.
“Është e dhimbshme dhe shumë e rëndë t’i shohësh ushtarët e KFOR-it të përballen me rrethana të tilla, siç i kemi parë dje e po ashtu është e frikshme, e dhimbshme dhe e tmerrshme qasja e huliganëve ndaj gazetarëve dhe mediave në përgjithësi që kanë raportuar dje nga veriu i Mitrovicës, të cilës i përgëzoj dhe i inkurajoj që në asnjë rrethanë të mos zmbrapsen dhe të jenë ata që informojnë qytetarët e Kosovës, sepse kur kemi informim të drejtë dhe të saktë, ne mund të kemi edhe stabilitet dhe qetësi, përndryshe çdo tentim për ta mbytur zërin medial nga kushdo qoftë, është i papranueshëm dhe i patolerueshëm”, potencon deputetja e PDK-së./Gazeta Blic/


