Një ditë pas dhunës ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës, politikanë të ndryshëm nga Gjermania dhe Evropa e kanë dënuar dhunën dhe ka në paralajmëruar zero tolerancë.
Qeveria gjermane e ka dënuar dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it ushtruar gjatë protestave në veri të Kosovës, të hënën, më 29 maj 2023. “Ne dënojmë me shprehjet më të forta sulmet e dhunshme të papranueshme në veri të Kosovës, të cilat plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR/NATO-s dhe disa civilë. Mendimet tona janë me të lënduarit të cilëve u urojmë shërim të shpejt”, thuhet ndër të tjera në një deklaratë për media të ministrisë së punëve të jashtme gjermane, shpërndarë të martën 30.05. në mëngjes. “Bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo dhune dhe të gjitha veprimeve që krijojnë tensione. Tani nevojitet urgjentisht një de-përshkallëzim i situatës”, thuhet më tej në deklaratë.
“I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të fillojnë pa vonesë bisedimet për këtë qëllim dhe të vazhdojnë të punojnë për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të arritur në shkurt dhe mars, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave Serbe”, thuhet po ashtu në deklaratën e Gjermansë zyrtare. Në fund të deklarata thekson mbështetjen e plotë për të dërguarin e posaçëm të BE-së Miroslav Lajčák në përpjekjet e tij për të zbutur tensionet.
Roth: Eshtë mbushur kupa
Edhe parlamentarët gjermanë kanë reaguar ndaj trazirave të së hënës në komunën e Zvçeanit.
Michael Roth, kryetari i Komisionit të Jashtëm në Bundestag, shkroi në Twitter:
“Një pikë e ulët gjatë një vije të gjatë përshkallëzimi në raportin midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Por me dhunën fizike ndaj ushtarëve të KFOR-it nga serbët radikalë, është mbushur kupa. Këto trazira jo vetëm që janë të papranueshme, por duhet të kenë pasoja”, kërkon politikani socialdemokrat.
Ahmetoviq: Të shqyrtohet rritja e kontingjentit të KFOR-it
Raportuesi i grupit parlamentar të socialdemokratëve në Bundestag, Adis Ahmetoviq, është shprehur ngjashëm në deklaratën e tij për media: Edhe ai e dënon dhunën, kërkon uljen në tryezë të të dyja palëve, por kërkon edhe që të shqyrtohet mundësia e shtimit të prezencës gjermane në KFOR.
“Sulmet e djeshme e bëjnë të qartë se sa i nevojshëm është KFOR-i për vendosjen e paqes dhe sigurisë në rajon edhe 24 vite pas përfundimit të luftës. Duhet shqyrtuar mundësia e shtimit të kontingjentit të KFOR-it për të ndërhyrë në raste serioze.
Të premten e kaluar, me 26 05.23, Bundestagu e zgjati edhe me një vit mandatin e prezencës gjermane në kuadër të trupës paqeruajtëse të KFOR-it. Aktualisht në Kosovë janë stacionuar afro 70 ushtarë, por në rast nevoje Gjermania mund të dërgojë deri në 400 ushtarë.
Edhe kryetarja e komisionit të të drejtave të njeriut në parlamentin gjerman, Renata Alt, FDP; e ka dënuar sulmet ndaj KFOR-it.
“Dënoj fuqishëm shpërthimin e dhunës në Kosovë dhe sulmin ndaj KFOR-it. Populistët në Ballkan vazhdojnë të abuzojnë me konfliktet etnike për qëllimet e tyre dhe duan të sabotojnë bashkëjetesën paqësore në vend që të forcojnë institucionet demokratike siç janë zgjedhjet”, ka shkruar Alt në një mesazh në Twitter.
Gjatë trazirave të fundit në Veri ishin lënduar disa ushtarë italianë dhe hungarezë të KFOR-it dhe disa persona civile. Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni gjithashtu e dënoi dhunën ndaj ushtarëve. “Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë. Shpreh gjithashtu dënimin tim më të fortë për sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it, ku përfshiheshin edhe ushtarë nga kombet e tjera. Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it”, ka paralajmëruar Meloni.


