Ministria e Punëve të Jashtme të Francës shprehu solidaritetin e saj me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u lënduan dje në Zveçan dhe u bëri thirrje palëve, veçanërisht Qeverisë së Kosovës, të marrin masa për qetësimin e tensioneve, shkruan GazetaBlic.
Franca shpreh solidaritetin e plotë me ushtarët e misionit të KFOR-it, disa pjesëtarë të të cilit u lënduan gjatë konfliktit në veri të Kosovës kur ata ndërhynë, në kryerjen e misionit të tyre, ndërmjet demonstruesve serbë dhe forcave policore të Kosovës. tha ministria në Twitter.
Ministria franceze ftoi Beogradin dhe Prishtinën që të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të gjejnë një zgjidhje në kuadër të dialogut.
“Ne e dënojmë dhunën në terma më të fortë dhe u bëjmë thirrje palëve, veçanërisht Qeverisë së Kosovës, që të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve. Më shumë se kurrë është e nevojshme që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përgjegjësi duke iu rikthyer negociatave në tryezë me qëndrim kompromisi në shërbim të paqes dhe prosperitetit të qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës”, shtojnë nga Ministria e Francës.


